Kryetari i Zubin-Potokut, Izmir Zeqiri, ka thënë se ende nuk ka ndonjë arsye se pse duhet të shpallen zgjedhjet e reja në 4 komunat me shumicë serbe.
Zeqiri në një prononcim për GazetaBlic thotë se duhet të gjendet një rrugë ligjore për këto zgjedhje.
Ai është skeptik se do të ketë përmisim të situatës nëse mbahen zgjedhjet e reja dhe zgjedhen kryetarët e rinj në komunat veriore.
“Duhet të gjendet një rrugë ligjore për zgjedhje, natyrisht duhet të kemi parasysh faktin se nëse zgjedhjet mbahen, çfarë do të prodhojnë. Për mendimin tim duhet të studiuar gjërsisht situata dhe arsyet pse duhet të shkohet në zgjedhje”, tha Zeqiri.
Gazeta ka tentuar të marrë përgjigje në lidhje me këtë çështje edhe nga Ilir Peci, Erden Atiq e Lulzim Hetemi, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.
Krahas kësja, përveç peticionit të përmendur nga presidentja Osmani, Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, tregon se mundësia tjetër është edhe dorëheqja e kryetarëve aktualë.
“Ekzistojnë 2 zgjidhje ligjore për të pasur zgjedhje të jashtëzakonshme në katër komunat veriore. E para është që të arrihet ndonjë dakordim më i madh politik dhe kryetarët e rinj të japin dorëheqje. Ndërsa, mundësia e dytë arrihet nëse 20 për qind e votueseve me të drejtë vote nënshkruajnë një lloji peticion apo kërkese që i dërgohet kryetarit të Kuvendit përkatës komunal”, thotë Cakolli.
Pastaj, tregon Cakolli, duhet të organizohet një proces votimi ku qytetarët e komunave përkatëse pyeten nëse janë për ose kundër shkarkimit apo largimit të kryetarit të komunës se tyre, pavarësisht se cila mund të jetë arsyeja. Ky është një mini-referendum që kërkon të paktën 50 për qind plus një e votuesve të votojnë për largimin e kryetarëve.
Përveç organizimit të zgjedhjeve të reja në veri të Kosovës, Bashkimi Evropian ka kërkuar nga Kosova që të sigurohet pjesëmarrja e serbëve të Kosovës në zgjedhje dhe të nisë puna për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve thotë se nëse zgjedhjet do të mbahen në katër komunat veriore të Kosovës, ata janë të gatshëm për të përmbushur detyrat që dalin nga Kushtetuta dhe ligjet në fuqi.
Kështu të paktën tha për GazetaBlic, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, si institucion i përhershëm kushtetues, e ka për detyrë kryesore organizimin e zgjedhjeve kurdo që ato shpallen. Si çdoherë, ashtu siç kemi thënë edhe në të kaluarën, KQZ-ja është e gatshme për të përmbushur detyrat që dalin nga Kushtetuta dhe ligjet në fuqi”, tha Elezi.
Ndryshe, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se organizimi i zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në veri të Kosovës, është mënyra e vetme për ndërrimin e pushtetit lokal në këto komuna të banuara me shumicë serbe.
Ai tha se është dakord për mbajtjen e zgjedhjeve, por shtoi se duhet të bëhen përgatitje që të ketë një fushatë fer e të hapur “në mënyrë që të mos ketë kërcënime dhe në fund bojkot sërish, e dalje të ulët”.
“Ndërrimi i pushtetit nuk mund të bëhet me dhunë, nuk mund të bëhet duke plagosur ushtarë të NATO-s, policë të Kosovës apo gazetarët, por vetëm me zgjedhje të parakohshme. Dhe, për këtë neni 72 për vetëqeverisje lokale e shpjegon shumë qartë se si duhet të fillohet me mbledhjen e 20 për qind të elektoratit të githëmbarshëm si nënshkrime të një peticioni që e nisin procesin për ato zgjedhje të parakohshme”, tha Kurti gjatë një konference për media pas mbledhjes së Qeverisë të mbajtur më 5 korrik.
Kujtojmë se, Mbajtja e zgjedhjeve po flitet si mundësi pas presionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian për shtensionimin e situatës në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.
Në këto komuna për pesë ditë me radhë kanë protestuar grupe të qytetarëve serbë duke kundërshtuar kryetarët shqiptarë atje. Këto protesta më 29 maj u shndërruan në përleshje të dhunshme me pjesëtarë të misionit të NATO-s, KFOR, ku mbetën të lënduar dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it, por edhe protestues.
Për dalje nga kjo gjendje nga samiti i Komunitetit Politik Evropian në Moldavi, presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz kërkuan nga Kosova mbajtjen e zgjedhjeve të reja. Kësaj kërkese i është bashkuar edhe përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell.




















