Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani takoi sot Ndihmës e Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s për operacione, Thomas Goffus dhe delegacionin përcjellës nga NATO dhe KFOR-i, përcjell InLajmi
Në takim u diskutua për situatën e sigurisë në veri të vendit dhe hapat për deeskalimin e saj.
Presidentja Osmani falënderoi Ndihmës Sekretarin Goffus për vizitën e tij dhe theksoi rëndësinë e pranisë së NATO-s në sigurimin e paqes dhe stabilitetit në Kosovë. Ajo theksoi përkushtimin e thellë të Kosovës për partneritet NATO-n dhe për të kontribuar në sigurinë rajonale dhe globale.
Presidentja Osmani nënvizoi angazhimin e Kosovës për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit me NATO-n.
Në raport me situatën e sigurisë në veri, Presidentja Osmani theksoi se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara që së bashku me partnerët ndërkombëtarë t`i tejkalojnë sfidat aktuale dhe fuqizimin e sundimit te ligjit. Po ashtu ajo theksoi se Kosova ka demonstruar vullnet për deeskalim, duke ofruar organizimin e zgjedhjeve të reja në veri të vendit, në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës. /InLajmi/