Për Kosovën është “absurd”, për Serbinë është “mesazh politik që kërkon përgjigje nga shteti”.
Këto janë reagimet e deritashme të zyrtarëve të 2 shteteve ndaj kërkesës së Listës Serbe, partisë udhëheqëse të serbëve të Kosovës, që Qeveria e Serbisë ta shpallë Policinë e Kosovës organizatë terroriste.
Kërkesa e Listës Serbe u publikua pak ditë pasi Qeveria e Kosovës, më 29 qershor, shpalli terroriste “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadën e Veriut”, dy organizata për të cilat besohet se veprojnë në veri të Kosovës.
Akuzat për terrorizëm u bënë në kohën e rritjes së tensioneve në veri të Kosovës, por edhe në kohën kur bashkësia ndërkombëtare pret zbatimin e marrëveshjes dhe dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Çfarë kanë thënë zyrtarët e Kosovës dhe Serbisë?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka quajtur “absurde” kërkesën e Listës Serbe, më 5 korrik.
Për ministrin e Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq, kjo kërkesë është mesazh politik që kërkon reagimin e shtetit të Serbisë.
Më 3 korrik, Daçiq tha për televizionin B92 se qëllimi i Prishtinës është që organizatat e caktuara nga veriu i Kosovës të shpallen “terroriste”, për të shkaktuar frikë dhe zhvendosje të serbëve nga ajo hapësirë.
Daçiq pyeti nëse Beogradi duhet t’i publikojë emrat e të gjithë shqiptarëve që, sipas tij, “përgjatë viteve demonstruan kundër Serbisë”, si dhe se “serbët kanë të drejtë të shprehin pikëpamjet e tyre politike”.
Naim Leo Beshiri, nga Instituti joqeveritar për Çështje Evropiane në Beograd, vlerëson për Radion Evropa e Lirë se pas deklaratave të ministrit Daçiq nuk qëndron strategjia e qartë e politikës së jashtme të Serbisë dhe se ato u shërbejnë “qëllimeve të politikës ditore”, shkruan REL
“Daçiq po i dërgon mesazh komunitetit ndërkombëtar se mënyra se si Kurti (kryeministri i Kosovës) po e udhëheqë politikën gjatë muajve të fundit, po e rrezikon dialogun”, thotë ai.