Të hënën filloi zgjerimi i rrugës Prishtinë-Podujevë. Ky investim qeveritar, u tha se do të përfundojë për 365 ditë pune. Këtë e beson edhe kryetari i Podujevës Shpejtim Bulliqi.
Ai tha se ka parë seriozitet në këtë projekt. Ndërkohë, që sipas tij, është planifikuar që në kohën sa është diaspora këndej, të mos punohet në trasenë ekzistuese, por vetëm në pjesën e zgjerimit, që të mos ketë tollovi në komunikacion.
Bulliqi bëri me dije se në Podujevë janë një mori punësh që po bëhen këtë verë. Sipas tij, punë po bëhen në Emergjencën e Qytetit, në Stacionin e Autobusëve, në rregullimin e 3 çerdheve, në ndërtim t shkollave, në rregullimin e asfaltimit nëpër një mori fshatrash e në qytet.
Ai gjithashtu njoftoi se është vendosur lokacioni për ndërtimin e Qendrës Rezidenciale, e cila do ketë kosto prej 2.5 milionë euro, nga të cilat 560 mijë euro i jep komuna, ndërsa të tjerat janë fonde të bamirësve në kuadër të shoqatës Jetmiat e Ballkanit. Me gjithë këto projekte, ekziston kritika opozitare se ka zvarritje të përfundimit të këtyre punëve në Podujevë. Për këtë, Kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, tha se halli qëndron tek kompanitë punëkryese, shkruan KlanKosova.
Kjo, pasi sipas tij, ato po angazhohen në shumë projekte, për të njëjtën kohë, e në anën tjetër nuk kanë kapacitet të realizimit të punëve që marrin, për kohën e caktuar. E këtu, Bulliqi thotë se komunat nuk kanë faj, pasi në tenderët komunal, kompanitë po arrijnë të fitojnë projektet duke ofertuar me çmimin më të lirë. Shpejtim Bulliqi, foli dhe për ndihmën ndaj bujqve, aktivitetet kushtuar diasporës, e projekte të tjera kapitale në komunë.