Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, u ka kërkuar Kryeministrit të Holandës Mark Rutte, dhe Kryeministrit të Luksemburgut Xavier Bettel, që t’i ndihmojnë Kosovës që të anëtarësohet në NATO dhe në BE, raporton InLajmi.
Kryeministri tutje përmendi edhe çështjen e dialogut me Serbinë, duke shtuar se dëshirojnë zgjidhje evropiane dhe zbatim të marrëveshjeve pa kushte e vonesa.
“Gjithashtu kërkova që të na ndihmojnë për sa i përket programit të NATO-s, Partneritetit për paqe dhe të ecim më tutje drejt marrjes së pyetësorit nga Komisioni Evropian sa i përket anëtarësimit në BE, ku ne tashmë e kemi bërë aplikimin tonë zyrtar”, tha ai.
Kurti tha se progresi demokratik i Kosovës është mundësi e mirë për BE-në që të transformojë Ballkanin Perëndimor.
“Në lidhje me dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, kam theksuar se Kosova është e interesuar për marrëdhënie të mira fqinjësore. Ne dëshirojmë zgjidhje evropiane dhe për këtë e kemi marrëveshjen bazike të 27 shkurtit dhe aneksin e zbatimit të 17 marsit, për të cilën dëshirojmë që të zbatohet në plotësi, pa vonesa dhe pa kushte”, shtoi kryeministri.
Kurti tha se demokracitë solidarizohen me njëra-tjetrën përballë autokracive andaj edhe progresi demokratik i Kosovës është mundësi për shtetin tonë dhe për BE-në për të shtyrë përpara reformat dhe transformimin e Ballkanit Perëndimor.
“Në këto kohë të rëndësishme për demokracinë dhe sigurinë e paqenë në rajonin tonë dhe kontinentin tonë. Vendet tona gëzojnë marrëdhënie të shkëlqyera, të cilat janë gjithmonë e me të afërta. Jemi mirënjohës për mbështetjen e Holandës dhe Luksemburgut për lirinë dhe pavarësinë tonë, për progresin demokratik dhe ekonomik”, shtoi tutje ai/InLajmi/.