Ministri i Financave Hekuran Murati, ka kritikuar opozitën për bllokimin e fondeve të dhëna nga Bashkimi Evropian, të cilët ishin ankuar se pse Kosova ende nuk është bërë pjesë e Programit Evropa Digjitale të BE-së, përcjell InLajmi.
Murati tha se gjithsej janë afro 150 milionë euro të bllokuara nga opozita, marrëveshja me KFW për investime në rrjetin e transmisionit të energjisë elektrike, projekti i Ngrohjes Qendrore Solare, i financuar me grante nga Gjermania, grante nga BE, dhe kredi nga BERZH.
Ministri tutje përmendi edhe marrëveshjen me Fondin Zhvillimor të OPEC, mjete që planifikojmë t’i investojmë në infrastrukturë sportive, për t’u bërë gati për Lojërat Mesdhetare.
Postimi i plotë i tij:
Opozita qenka ankuar se pse Kosova ende nuk është bërë pjesë e Programit Evropa Digjitale të BE-së.
Mirëpo është e njëjta opozitë që me muaj të tërë po mban të bllokuara marrëveshjet ndërkombëtare në Kuvend, pa asnjë arsye të vlefshme.
Janë gjithsej afro 150 milionë euro të bllokuara nga opozita:
25 milionë euro marrëveshja me KFW për investime në rrjetin e transmisionit të energjisë elektrike;
84 milionë euro projekti i Ngrohjes Qendrore Solare, i financuar me grante nga Gjermania, grante nga BE, dhe kredi nga BERZH.
40 milionë USD marrëveshja me Fondin Zhvillimor të OPEC, mjete që planifikojmë t’i investojmë në infrastrukturë sportive, për t’u bërë gati për Lojërat Mesdhetare/InLajmi/.