Një “Investim madhor” i Qeverisë Kurti është inauguruar të dielën. Bëhet fjalë për një park dhe kënd të lojërave në Davidoc të Komunës së Shtimes. Ky projekt sipas Zyrës së Kryeministrisë kap vlerën e 144 mijë eurove, e që është bashkëfinancim me Komunën e Shtimes, përcjell InLajmi
E në inaugurimin e saj, përpos kryeministrit Albin Kurti, ishte edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Joern Rohde.
Sipas ZKM-së, kryeministri Kurti tha se në fund të vitit të kaluar bashkë me kryetarin Aliu, kanë inauguruar edhe parkun tjetër në fshatin Gjyrkoc, i cili tashmë është bërë pjesë e komunitetit të fshatit dhe pikëtakim për fëmijët.
“Urojmë që edhe ky park të kthehet në një vend ku shumë fëmijë dhe grupmosha të ndryshme do të kalojnë kohën e lirë dhe do të përjetojnë momente së bashku. Është pikërisht ky roli i Komunës edhe i Shtetit, që të krijojë hapësira publike për qytetarët e saj, sepse janë këto hapësira publike ato të cilat e inkurajojnë që të kemi një lidhje të fortë të individit me vendin e tij, por edhe me qytetarët e tjerë të cilët i ndajnë këto hapësira”, tha kryeministri Kurti në fjalën e tij.
Me këtë rast, kryeministri tha se shumë shpejtë do të kemi inaugurime të reja në këtë pjesë, sepse pritet të fillojnë dy projekte të rëndësishme, Rehabilitimi i Rrugës Rajonale Transiti me 1.7 milion, si dhe rehabilitimi i Rrugës rajonale Shtime – Lipjan, me vlerë 1.5 milion euro. Që do të sigurojnë lëvizjen e lirë të njerëzve dhe të mallrave në këtë komunë./InLajmi/