Qeveria e Kosovës, i shpall terroriste organizata “Mbrojtjen Civile” (Civilna Zashtita) dhe “Brigadën e Veriut” (Severna Brigada) të cilat operojnë në pjesën veriore të vendit, të banuar me shumicë serbe, duke thënë se ato janë përgjegjëse për tensionet e fundit në këtë pjesë të vendit, raporton InLajmi.
Kundër vendimit të qeverisë ka votuar ministri për Kthim dhe Komunitete Nenad Rashiq.
Paraprakisht kryeministri Albin Kurti, ka përmendur veprimet e ndërmarra nga këto grupe, si sulmet ndaj KFOR-it, gazetarëve e qytetarëve të tjerë, veprime të cilat kryeministri i konsideron kërcënim për rendin juridik e kushtetues të vendit.
“Sulmet ndaj qytetarëve e ushtarëve të KFOR-it, shkaktimi i rrezikshëm ndaj pronës publike e private, detyrimi në marrjen pjesë në protesta të dhunshme, janë veprimet e ndërmarra nga këto grupe. Rendi kushtetues e juridik është i pakompromis dhe duke pasur për qëllim mbrojtjen e të gjithë qytetarëve ‘Mbrojtja Civile’ dhe ‘Brigada e Veriut’, shpallen organizata terroriste”, deklaroi Kurti, duke shtuar se nga organizatat e tilla niveli i rrezikut është i lartë.
“Niveli i rrezikut prej tyre është i lartë dhe institucionet janë në përpjekje të vazhdueshme për kundërvënie ndaj aktiviteteve dhe parandalimit të pasojave”, u shpreh kryeministri Kurti./InLajmi/