Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, ka thënë që ShBA-ja e mbështet policinë e Kosovës në kryerjen e funksioneve në veri, por që kjo duhet bërë në mënyrë të duhur.
“Kjo tingëllon si pyetje hipotetike, të cilave nuk më pëlqen t’i përgjigjem sepse mund të nxjerrim skenarë të shumtë. Momentalisht, Shtetet e Bashkuara nuk shohin që KFOR-i të marrë detyra të zbatimit të ligjit si përgjigje e përshtatshme ndaj situatës në veri, që mendoj se po aludoje”, ka thënë Hovenieri.
“Me sa e di, as KFOR-i nuk është i interesuar për diç të tillë. Ka mënyrë për të ecur përpara. Ne kemi qenë të qartë: veriu është pjesë e Kosovës dhe Kosova është shtet sovran, i pavarur. Ne e mbështesim Policinë e Kosovës që të kryejë funksionet e saj në veri, por duhet të bëhet në mënyrë të duhur”, shtoi ai.
Hovenieri tha se duhet të ketë durim në punën e bashkësisë ndërkombëtare me të gjitha palët në përmbushjen e kësaj pune, e cila sipas tij është për momentin përmes zbatimit të plotë të dyanshëm të Marrëveshjes së Ohrit.
“Do të thotë se duhet të ketë durim se si bashkësia ndërkombëtare punon me të gjitha palët për të parë se si ta përmbushë këtë. Mënyra më e mirë përpara tash për tash është përmes zbatimit të plotë nga të 2 palët të marrëveshjes së arritur në Ohër. Dhe përderisa jemi këtu, dëshiroj të flas pak më në përgjithësi për çështjen e kryerjes së detyrave nga policia në veri. Jemi shqetësuar dhe e kemi diskutuar disa herë këtë çështje me qeverinë për disa prej mënyrave se si janë kryer detyrat policore atje”.
“Shtetet e Bashkuara janë krenare që e kanë mbështetur Policinë e Kosovës përgjatë shumë viteve dhe mendoj se shumica që janë të familjarizuar me Policinë e Kosovës, me doktrinën dhe trajnimin e tyre, madje edhe me themelimin fillestar të Akademisë Policore, e dinë se ne kemi luajtur rol të rëndësishëm në mbështetje të saj. Dhe e kemi bërë këtë sepse e kemi kuptuar se në ish-Jugosllavinë, veçanërisht mënyra se si policia ka ndërvepruar me shoqërinë dhe me komunitetin ka qenë shumë domethënëse dhe ka luajtur rol të madh nëse një komunitet, veçanërisht komunitet pakicë, është ndjerë i sigurt apo jo i sigurt”, deklaroi diplomati amerikan.
“Ne besojmë fuqishëm se ka nevojë për njësite të specializuara të policisë me pajisje të specializuar që kryejnë detyra të specializuara si pjesë e veglave të Kosovës për zbatim të ligjit. Por, gjithashtu besojmë se njësitet e specializuara me pajisje të specializuara duhet të rezervohen për detyra të specializuara që kërkojnë atë trajnim dhe ato pajisje”, theksoi ai.
Hovenieri tha se kanë dëgjuar nga serbë etnikë në veri që ata janë të shqetësuar nga dërgimi i njësive të specializuara dhe disa mënyra të dërgimit të tyre atje, shkruan KlanKosova.
“Kurse kryerja e detyrave të përditshme të policisë, mundësimi i sundimit të ligjit duhet të kryhen nga njësitet e policisë për ligj e rend. Kemi dëgjuar nga serbët etnikë se komuniteti serb në Kosovë, posaçërisht në veri, është i shqetësuar me dërgimin dhe me disa mënyra se si njësitet e specializuara janë dërguar atje. Ne e ndajmë këtë shqetësim. Besojmë se qeveria do të përfitonte nga shqyrtimi dhe ia kemi kërkuar që të shqyrtojë se si po përdoret policia dhe të përpiqet që të ketë forcë policore që është e përfshirë në kryerjen e detyrave policore në komunitet në atë mënyrë që banorët dhe qytetarët ndjenjë se luan rol në ofrimin e sigurisë për ta”, tha ai, teksa shtoi: “Momentalisht, sa e kam kuptuar nga bisedat me udhëheqësit e shoqërisë civile dhe me të tjerët në veri, ata po frikësohen nga disa prej këtyre njësiteve policore dhe nga ajo çka po bëjnë ata. Kjo nuk është receta për stabilitet”.