Ministria e Punëve të Brendshme ka reaguar pas sulmeve që kanë ndodhur mbrëmë në Komunën e Mitrovicës së Veriut, duke thënë se këto janë tentativa të Serbisë për të eskaluar situatën në veri, përcjell InLajmi.
Zyrtarë nga MPB-ja thanë se sulmet e vazhdueshme terroriste ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës, duhet të përballen me reagim të ashpër nga të gjithë.
Tutje në njoftim thuhet se këto janë tentativa të njëpasnjëshme nga ana e Serbisë për të eskaluar situatën në veri të vendit.
Njoftimi i plotë nga Ministria e Punëve të Brendshme:
Vazhdojnë sulmet terroriste ndaj institucioneve shtetërore.
Mbrëmë në orët e vona, ndërtesa e Komunës së Mitrovicës së Veriut është sulmuar me mjet shpërthyes, që sipas ekspertizës dyshohet të jetë granatë dore e llojit M75. Nga ky akt kriminal, janë dëmtuar dhe 2 vetura zyrtare që gjendeshin pranë objektit. Policia e Kosovës ka marrë masat e menjëhershme në investigimin e rastit dhe identifikimin e autorëve.
Sulmet e vazhdueshme terroriste ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës, duhet të përballen me reagim të ashpër nga të gjithë. Këto janë tentativa të njëpasnjëshme nga ana e Serbisë për të eskaluar situatën në veri të vendit. Ne mbesim vigjilent dhe të angazhuar për rend dhe siguri për të gjithë qytetarët pa dallim./InLajmi/