Dhjetra qytetarë nga qyteti i Graçanicës kanë vazhduar të protestojnë për lirimin e serbëve të arrestuar nga Policia e Kosovës të dyshuar për krime lufte por edhe në veri për nxitje të dhunës dhe sulme kriminale, raporton InLajmi.
Në kërkim të lirimit të serbëve, qytetarët e Graçanicës të martën kanë mbajtur një protestë disa orëshe, ndërsa i pranishëm ishte edhe kryetar i Shtërpcës Dalibor Jevtiq.
Qytetarët gjatë marshimitë tyre nëpër qendrën e Graçanicës përveç thirrjeve për lirimin e bashkëqytetarëve të tyre ata mbanin në duar pankartat ku shkruhej se “Anamorava është me Vuçiqin”, “prej Anamoravës deri në Leposaviq jena një familje” e “liri për të gjithë serbët e arrestuar”.
Ditë më parë Policia e Kosovës kishte arrestuar Dragisha Milenkoviq nga Graçanica nën dyshimet për krime lufte dhe Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për Dragisha Milenkoviq.
Kurse presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, paralajmëroi më herët se në Vidovdan, serbët do të “ndërmarrin hapa aktivë në rrugën drejt lirisë, në përputhje me normat juridike ndërkombëtare”.
Vidovdani është festë fetare, që e shënon Kisha Ortodokse Serbe, si përkujtim të vuajtjeve të serbëve në betejën kundër ushtrisë turke në Kosovë, në vitin 1389.
Me “Deklaratën e Vidovdanit”, të lexuar nga Dalibor Jevtiq, kryetar i Shtërpcës, përfundoi tubimi i qytetarëve serbë në qendër të Graçanicës.