Kosova planifikon t’i shpallë organizata terroriste “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadën e Veriut” organizata këto që operojnë në pjesën veriore të vendit, të banuar me shumicë serbe, duke thënë se ato janë përgjegjëse për tensionet e fundit në këtë zonë.
Tensionet atje i ka rritur instalimi i kryetarëve shqiptarë të komunave qysh në fund të majit. Protestat e komunitetit serb kundër tyre që në disa raste kanë kulmuar edhe në dhunë vazhdojnë ende.
“Ditëve në vijim, unë do të kërkoj nga Qeveria e Republikës së Kosovës që organizatat ‘Mbrojtja Civile’ dhe ‘Severna Brigada’ të shpallen organizata terroriste – me çka lufta ndaj këtyre organizatave do të jetë edhe më efikase”, tha ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, më 25 qershor.
Në atë konferencë u fol, po ashtu, për disa armë të konfiskuara në një makinë me targa të Beogradit, një ditë më herët në komunën e Zveçanit. Aty u gjetën edhe disa letra ngjitëse të “Brigadës së
Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, thotë se nëse Kosova ka dëshmi se “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” ushtrojnë veprimtari me qëllim të cenimit të rendit kushtetues dhe juridik, atëherë i takon shtetit që t’i shpallë këto organizata terroriste.
“Vendime të tilla duhet të jenë të bazuara, të arsyetuara mirë dhe të dëshmuara. Kur një organizatë shpallet terroriste, atëherë vetëm pjesëmarrja në të konsiderohet vepër penale, dhe kushdo që bën pjesë në të, duhet të përballet me ligjin”, thotë Miftaraj për Radion Evropa e Lirë.
Por, një vendim i tillë, sipas Miftarajt, duhet të merret vetëm në koordinim me partnerët ndërkombëtarë të Kosovës, në mënyrë që, siç thotë ai, vendimi ta ketë edhe legjitimitetin dhe besimin e tyre.