Të gjitha shpresat për të gjetur gjallë 5-së personat në nëndetësen civile që humbi kontaktet që fundjavën e kaluar u shuan.
Pas zbulimit të mbeturinave nga nëndetësja Titan në fundin e oqeanit, fokusi i përpjekjeve tani do të kthehet drejt zbulimit te shkaqeve qe shkaktuan aksidentin.
Paralajmërimet mbi sigurinë e nëndetësen Titan të OceanGate u hodhën poshtë vazhdimisht nga CEO i kompanisë.
Rob McCallum i tha CEO të OceanGate, Stockton Rush, se ai potencialisht po i rrezikonte klientët e tij dhe i kërkoi atij të ndalonte përdorimin e nëndetëses derisa të ishte certifikuar nga një agjenci e pavarur.
Në atë kohë Rush ishte shprehur se ishte lodhur nga kritikat e vazhdueshme që përpiqen të përdorin argumentin e sigurisë për të ndaluar inovacionin. Gjatë asaj kohe avokatët e OceanGate kërcënuan me veprime ligjore, shprehet McCallum.

Marina amerikane gjatë kërkimeve zbuloi disa zhurma të cilat sipas ekspertëve mund të ketë qenë nga shpërthimi i mjetit lundrues. Ishte Admirali John Mauger i Gardës Bregdetare që konfirmoi se të pesë njerëzit në bordin e Titan kishin vdekur pas asaj që ishte ndoshta një shpërthim katastrofik, bazuar në modelet e mbeturinave të zbuluara.
Autoritetet amerikane shprehen se mbetjet në Atlantikun e Veriut çojnë në një përfundim se Titan i OceanGate pësoi një “shpërthim katastrofik” për shkak të presionit të fuqishëm të ujit duke vrarë menjëherë të pesë pasagjerët në bord.
Çdo hetim sigurisht që do të fokusohet në mënyrën sesi ishte ndërtuar nëndetësja. Ekspertët shprehen se ajo ishte ndërtuar me fibra karboni.
Por për të futur më shumë njerëz brenda, OceanGate adoptoi një formë cilindrike, me një tub fibër karboni të futur në mes të kapakut fundor të Titanit. Fibra karboni është shumë e fortë dhe përdoret për të ndërtuar krahë aeroplanësh dhe makina garash.
Avionët i nënshtrohen inspektimeve të rregullta, në shkallë shumë të imët, për t’u siguruar që materialet e tyre nuk kanë çarje ose që shtresat e tyre nuk kanë filluar të ndahen.
Fotografimi i mbeturinave të Titanit të gjetura në dyshemenë e oqeanit dhe kthimi i tyre në sipërfaqe për studim në një laborator mjekoligjor mund t’i lejojë inxhinierët të identifikojnë sesi u shkatërrua, totalisht.
“Shpërthimi, është një shpërthim i menjëhershëm. Ai shpërtheu përbrenda në një të mijëtën e sekondës. Ky ishte një fund i tmerrshëm”.
BBC raporton se në këtë fazë është e paqartë se cila agjenci do të drejtojë hetimin pasi nuk ka asnjë protokoll për incidente të tilla. Roja Bregdetare e SHBA-së ka të ngjarë të vazhdojë të ketë një rol të rëndësishëm në hetime. Ajo do të vazhdojë të hetojë vendin ku u gjetën mbetjet në bashkëpunim me ekspertë dhe teknikë.
Laërence Brennan, një profesor në Fakultetin Juridik të Fordham ka deklaruar se çdo hetim ka të ngjarë të pengohet nga thellësia ekstreme në të cilën shpërtheu nëndetësja dhe nga natyra katastrofike e dështimit të tij.
“Unë mendoj se një sërë gjërash do të bëhen njëkohësisht. Mund të ketë hetime federale dhe shtetërore. Mund të ketë hetime nga vende të huaja, veçanërisht Franca dhe çdo vend tjetër që ka një shtetas që e ka humbur në këtë tragjedi. Mbledhja e mbeturinave mund të jetë e rëndësishme dhe mund të përbëjë interes ndërkombëtar. Por këto hetime mund të zgjasin nga 18-24 muaj”.
Brennan tha se ai pret që së shpejti të ketë një proces gjyqësor civil në SHBA. Ekspertët janë shprehur se një burim tjetër i mundshëm informacioni rreth asaj që ka ndodhur saktësisht me Titanin mund të jenë hidrofonët ose mikrofonët nënujorë që përdoren për regjistrimin e tingujve nënujorë.
Hidrofonët mund të kenë kapur fundin e Oceangate Titan dhe mund të na japin një kohë të saktë se kur ndodhi tragjedia.
“Ka njëfarë ironie. Krah për krah në fund të detit Atlantik për momentin, ne kemi dy anije, Titanic dhe Titan. Kur Titaniku u mbyt, e dini, më shumë se një shekull më parë, ishte një fatkeqësi e tmerrshme. Por ka gjithmonë gjëra të mira që vijnë nga e keqja. Dhe unë mendoj se një gjë që erdhi nga katastrofa e Titanikut ishte një rishikim i madh i ligjit detar, i standardeve detare dhe i mënyrës se si ne i operojmë anijet në det. Gjërat kryesore si përdorimi i radiove, protokolli standard me radiot, jelekët e shpëtimit, të kesh mjaft varka shpëtimi në bord për të mbuluar të dy anët e varkës. E dini, nëse anija përkulet, atëherë ju duhet të jeni në gjendje t’i çoni të gjithë pasagjerët në varkat e shpëtimit, ndoshta në portin më të afërt në zonë. Por kjo tragjedi erdhi e gjitha për shkak të mungesës së sigurisë”.
Boxall shprehet se ekspedita të tilla të kryera nga shumë miliarderë eksplorues janë shumë të rrezikshme.
“Unë personalisht nuk do të realizoja kurrë një ekspeditë të tillë. Mendoj se janë të rrezikshëm. Nuk ka asnjë përfitim të veçantë, nuk ka asnjë emocionues. Atyre njërëzve iu duket aventureske dhe mendoj se kjo është arsyeja pse i tërheq njerëzit që të duan të shkojnë. E dini, ata kanë bërë të gjitha ekstremet e tjera, kanë ngjitur Everestin, ata shkojnë në Polin e Jugut. Çfarë do të bëjnë më pas? Epo, ju ose mund të bashkoheni me një nga multimiliarderët e shumtë dhe të ngjiteni në hapësirë ose mund të zbrisni në pjesën më të thellë të oqeanit. Por ky nuk është turizëm, kjo gjë nuk ka asnjë përfitim pozitiv”.
Regjisori i filmit “Titanik”, i cili ka eksploruar dhjetëra herë anijen e zhytur James Cameron, thotë se kishte paralajmëruar disa herë mbi rreziqet e nendetesës civile.
Shkaku i shpërthimit të “Titanit” nuk është përcaktuar, por Cameron supozon se kritikët ishin të saktë në paralajmërimin se një defekt teknik mund të ketë çuar në shpëthimin katastrofik të nëndetëses civile.
“Dështoi elektronika e nëndetëses, sistemi i saj i komunikimit dhe aparatura gjurmuese njëkohësisht. Ne morëm konfirmimin se kishte pasur një zhurmë e fortë në të njëjtën kohë që ishte nën ujë. Kështu e kuptova se çfarë ndodhi. Ajo kishte shpërthyer për shkak të presionit të fortë të ujit menjëherë pasi humbi kontaktin. Atëherë mendova se tragjedia ndodhi dhe thashë se kemi humbur disa miq”.
Një letër dërguar “Ocean Gate” nga Shoqëria e Teknologjisë Detare në Mars të vitit 2018 tregonte se operatori turistik ishte paralajmëruar për problemet teknike.
Ndërkaq edhe një ekspert i nëndetëseve që ka punuar për OceanGate paralajmëroi për probleme të mundshme të sigurisë në vitin 2018, sipas dokumenteve të gjykatës amerikane.
David Lochridge u zhvendos nga Skocia në shtetin e Uashingtonit për të punuar për firmën. Por më pak se një vit më vonë ai paralajmëroi shefat e tij se nëndetësja kishte probleme me sigurinë për shkak të mënyrës sesi ishte ndërtuar. Sipas David struktura me fibra karboni mund të shkaktonte probleme me sigurinë e saj.
Ai tha se paralajmërimet e tij u injoruan. OceanGate e paditi atë për zbulimin e informacionit konfidencial.
Dokumentet e gjykatës gjithashtu thonë se Lochridge mësoi se prodhuesit e Titanit e certifikuan atë vetëm në një thellësi prej 1300 metrash dhe sipas tij nuk ishte e përshtatshme deri nën rrënojat e Titanikut të cilat ndodhen 3800 metra nën sipërfaqen e oqeanit.
Titan, i operuar nga kompania me bazë në SHBA OceanGate Expeditions, humbi kontaktin me anijen e saj mbështetëse sipërfaqësore të dielën e kaluar rreth një orë e 45 minuta në atë që duhej të ishte një ekspeditë dy-orëshe.
Po kush ishin pesë personat të cilët humbën jetën në atë nëndetëse. Viktimat janë Hamish Harding 58 vjeç, Shahzada Dawood 48 vjeç dhe djali i tij Suleman 19 vjeç, Paul-Henri Nargeolet 77 vjeç dhe Stockton Rush 61 vjeç.
Stockton Rush ishte themeluesi dhe shefi ekzekutiv i OceanGate Expeditions. Në një intervistë që u transmetua në CBS në Nëntor, Rush tha se ai u rrit duke dashur të bëhej një astronaut. Ai themeloi OceanGate, një kompani private me bazë në Everett, Wash., afër Seattle, në 2009.
Hamish Harding, një biznesmen dhe eksplorues britanik, mban disa Rekorde Botërore Guinness, duke përfshirë një për kohën më të gjatë të kaluar në pjesën më të thellë të oqeanit.
Harding 58 vjeç, ishte kryetar i Action Aviation, një kompani ajrore me bazë në Dubai. Ai kishte fluturuar më parë në hapësirë në një mision nga kompania e raketave Blue Origin e Jeff Bezos.
Paul-Henri Nargeolet, një ekspert francez detar, ishte zhytur më shumë se 35 herë në vendin e mbytjes së Titanikut.
Nargeolet ishte drejtor i kërkimeve nënujore për RMS Titanic, Inc. Kompania kreu tetë ekspedita kërkimore dhe rikuperimi midis 1987 dhe 2010, sipas faqes së saj të internetit.
Biznesmeni britaniko-pakistanez Shahzada Dawood 48 vjeç dhe djali i tij Suleman 19 vjeç, ishin anëtarë të një prej familjeve më të pasura të Pakistanit.
Dawood kishte një përvojë në prodhimin e tekstileve dhe plehrave. Djali i tij ishte një student biznesi në Universitetin e Strathclyde në Glasgow. Shahzada Daëood ishte gjithashtu në bordin e Institutin e Kërkimit të Inteligjencës Jashtëtokësore.