Tash e 8 ditë në Gjakovë janë duke vazhduar kërkimet për gruan që ka rënë nga ura e Fshajt.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj tha se kërkimet po vazhdojnë dhe se deri tani nuk ka asnjë rezultat.
“Kërkimet po vazhdojnë por fatkeqësisht deri tani nuk është gjetur viktima”, tha ai.
Ndërsa, Forca e Sigurisë së Kosovës, në njoftimin e bërë për media ditë më parë ka njoftuar se po vazhdojnë kërkimet për 59 vjeçaren e zhdukur, shkruan Reporteri
“Ekipet e Kërkim Shpëtimit në ujëra të Gardës Kombëtare të Forcës së Sigurisë së Kosovës, së bashku me Policinë e Kosovës dhe autoritet lokale të komunës së Gjakovës, dhe me kërkesën për angazhim të Qendrës së Situatave të Qeverisë së Republikës së Kosovës, janë duke realizuar operacionin e Kërkim Shpëtimit të personit të zhdukur me inicialet A.M i moshës 59 vjeçare, zhdukur që nga data 16.06.2023”, thuhet në njoftim.




















