Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Salih Zyba e quan të papranueshëm rrëmbimin e 3 policëve të Kosovës nga Serbia.
Siç thotë ai, lirimi i policëve duhet të jetë parakusht për “çfarëdo normalizimi”.
“Duhet të jetë fakt, kërkesa nuk mjafton. Kërkesë kemi pasur edhe ne, kemi pasur thirrje edhe te faktorët ndërkombëtarë, pavarësisht a është i sigurisë a i diplomacisë, fakti që Serbia nuk ka lëviz deri tash, përkundër që nuk e ka arsyetuar veprimin si është, se ky është veprim i papranueshëm, i dënueshëm ndërkombëtarisht, duhet të jetë parakusht për çfarëdo normalizimi”, tha ai
Deputeti Zyba shtoi se nëse policët nuk lirohen sot, “Kurti do duhej të ketë qëndrim shtetëror, pa asnjë kusht, jo vetëm thirrje, por duhet të ketë lobim për këtë punë”.
Më 14 qershor, tre zyrtarë policorë u rrëmbyen nga Serbia, në një zonë kufitare mes 2 vendeve, shkruan Teve1
Lirimin e tyre e ka kërkuar sot edhe përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, pas takimit me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.