Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, PDK, Ganimete Musliu drejtoi akuza ndaj Qeverisë së Kosovës për terror të përditshëm ndaj administratës shtetërore.
Ajo nga foltorja e Kuvendit të Kosovës bëri thirrje që kjo të ndalet.
Musliu gjatë fjalës së saj tha se qeveria Kurti propagandën e ka shujtë për mëngjes, drekë e darkë dhe se sipas saj, është mashtruese e inatçore.
“Lufta e pushtetit aktual ndaj secilit që ka guxim, të qëndroj drejt, sot është e paprecedentë. Administrata shtetërore është në terror të përditshëm nga një Qeveri, e cila është e paaftë për të qeverisur. Nga një Qeveri që presionin, diferencimin rajonal dhe politik e ka bazë të veprimtarisë së saj. Nga një Qeveri që për 2 vjet e gjysmë qeverisje nuk ka shënuar asnjë sukses. Nga një Qeveri që e ka izoluar vendin në agjendën ndërkombëtare. Nga një Qeveri që propagandën e ka shujtë për mëngjes, drekë e darkë, nga një qeveri inatçore dhe mashtruese. Sot dua t’i bëj thirrje Qeverisë që ta ndalë dhunën dhe presionin ndaj punëtorëve të administratës dhe medieve”, tha Musliu.
Deputetja e PDK-së tha se kryeministri Kurti e ka humbur betejën me të gjithë dhe siç u shpreh ajo, nuk mund ta shpëtojnë as militantët dhe as ministrat horror, shkruan Telegrafi.
“Në rrugën që ka hyrë Albin Kurti duke kaluar nga kriza në krizë për ta fshehur paaftësinë e tij qeverisëse nuk mund ta shpëtojnë as militantët e frustruar të VV-së, qoftë në kabinetin qeveritar, qoftë në rrjete sociale e nuk mund ta shpëtojnë as kabineti i ministrave horror, të cilët janë në gjendje të rrinë një këmbë vetëm për t’ia mbajtur zhagun Albin Kurtit, dhe që Albin Kurti të jetë i vetëkënaqur me vetën e tij. Fatkeqësisht, Albin Kurti e ka humb betejën me çdo pjesë të shoqërisë në Kosovë. Betejën e vetme Albin Kurti sot e ka me vetveten”, theksoi Musliu.