Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq mund të vihen shumë shpejt përballë njëri-tjetrit në Bruksel.
I dërguari i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak e paralajmëroi takimin. Pjesëmarrjen e konfirmoi kryeministri kosovar. E akoma jo presidenti serb.
Mbledhja mes palëve po kërkohet të ndodh pas situatës së tensionuar në Veri.
Ish-kryenegociatori kosovar, Avni Arifi thotë se Kurti bëri mirë që iu përgjigj pozitivisht ftesës.
“Është absurde të mendohet që të mos shkohet. Përgjegjësitë shtetërore që ka Kosova ndaj BE-së jo vetëm në rrugën e saj drejt anëtarësimit, por edhe në tema të sigurisë janë shumë më të mëdha se egoja apo teket e një individi cilido qoftë ai”.
Arifi ka dilema që takimi në kryeqendrën diplomatike evropiane mund të prodhojë efekt.
“Bazuar në retorikën që e dëgjojmë pak ka shpresa se ky takim do të ketë sukses”.
Shtensionimi atje, sipas tij, bëhet veç në koordinim me aleatët.
“Duke bashkëpunuar me mekanizmat e sigurisë ndërkombëtarë dhe në përputhje me planet e harmonizuara me ta. Nëse don shtensionim kjo është rruga”, potencoi Arifi.
Për fund bëri thirrje për lirimin e 3 policëve kosovarë të kidnapuar nga Serbia. Shkruan FrontOnlime
“Kosova duhet të insistojë dhe lobojë tek partnerët ndërkombëtarë që ata të ndikojnë tek Qeveria e Serbisë. Vizita e familjes dhe paraqitjet mediatike se “gjithçka po bëjmë” po krijojnë pasqyrë të gabuar për fuqinë dhe mundësitë që ka Qeveria e Kosovës në këtë proces”.