Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, ka prezantuar progresin e institucioneve të Republikës së Kosovës, në takimin e radhës të “Justice Action Coalition” të kryesuar nga përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Holandës, përcjell InLajmi.
Ajo tha se në takimin ministror, ka prezantuar veprimet e qeverisë që lidhen me qasjen në drejtësi dhe për të drejtat e njeriut në përgjithësi.
Sipas saj veprimet konkrete janë në ofrimin e ndihmës juridike falas për viktimat e dhunës në familje apo dhunës me baza gjinore, viktimat e trafikimit, punën në drejtësinë tranzicionale dhe reformat tjera që ndërlidhen me fuqizimin e institucioneve të drejtësisë.
Tutje Haxhiu tha se Kosova ka vullnetin që t’i ndajë përvojat më të mira me vendet tjera dhe në anën tjetër të aplikojë praktikat më të mira dhe që janë në interes të qytetarëve.
Postimi i plotë i saj:
Takimi ministror “Koalicioni Veprim për Drejtësi”
Para ministrave nga vende të ndryshme të botës dhe përfaqësuesve të organizatave ndërkombëtare, prezantova progresin e institucioneve të Republikës së Kosovës, në takimin e radhës të “Justice Action Coalition” (Koalicionit për Veprim në Drejtësi) të mbajtur dhe kryesuar nga përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Holandës.
Në këtë takim prezantova veprimet e Qeverisë që ndërlidhen me qasjen në drejtësi dhe për të drejtat e njeriut në përgjithësi, me fokus në shembujt e ofrimit të ndihmës juridike falas për viktimat e dhunës në familje apo dhunës me baza gjinore, viktimat e trafikimit, punën në drejtësinë tranzicionale dhe reformat tjera që ndërlidhen me fuqizimin e institucioneve të drejtësisë.
Republika e Kosovës ka vullnetin që t’i ndajë përvojat më të mira me vendet tjera dhe në anën tjetër të aplikojë praktikat më të mira dhe që janë në interes të qytetarëve./InLajmi/