Profesori universitar, Arben Fetoshi e vlerëson si qasje të drejtë qëndrimin e kryeminsitrit të Kosovë, Albin Kurti që njëherë të marrë informacione për gjendjen e policëve të burgosur në Serbi, e më pastaj të vendosë se a do të shkojë në Bruksel për t’u takuar me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Sipas Fetoshit, nuk ka asnjë kuptim që takimi të ndodhë derisa 3 policët janë në paraburgim.
“Besoj që është qasje e drejtë sepse situata tani ka të bëjë me një rast konkret që përbën agresion ndaj Kosovës dhe që jam i prirur ta shoh si një lloj akti poshtërues ndaj shtetit tonë dhe besoj që kryeministri e ka artikuluar takimin e tij të ardhshëm me presidentin serb brenda kornizave të kuptueshme për shkak se nuk ka asnjë sens që t’i përgjigjet një takimi të ardhshëm me Vuçiqin derisa tre policë të Kosovës mbahen në paraburgim dhe për më tepër nuk lejohet që ata të vizitohet nga përfaqësuesit tanë zyrtarë në Beograd”, ka thënë Fetoshi
Sipas tij, BE-ja duhet ta shtojë presionin mbi Serbinë që ajo t’i lirojë 3 policët e paraburgosur, shkruan Teve1
“Pra kemi të bëjmë me një situatë e cila natyrisht e pengon çfarëdo logjike të takimit të ardhshëm në Bruksel dhe unë besoj që Bashkimi Evropian do të duhej ta shtonte presionin mbi Beogradin ashtu qysh edhe ka qenë shumë i qartë Washingtoni zyrtar sa i përket kësaj situate dhe faktorë tjerë relevant të Perëndimit në mënyrë që ky rast të marrë fund sa më shpejt dhe pastaj natyrisht që gjithçka i takon rikthimit në tavolinën e bisedimeve për shkak se siç është thënë nga të gjithë dhe unë jam i bindur për këtë, dialogu nuk ka alternativë”, ka shtuar Fetoshi.