Të heshtur, e në pritje të informacioneve. Familjarët e zyrtarëve policorë, të cilët Kosova pohon se u rrëmbyen nga Serbia më 14 qershor, në një zonë kufitare mes 2 vendeve, deklaruan se dinë pak apo aspak për të afërmit e tyre.
“Krejt ajo që ne dimë për familjarin tonë, është ajo që kemi dëgjuar në mediat e Kosovës”, u shpreh një anëtar i familjes së policit Beqir Sefa.
I mërzitur, ai tregoi se marrja e lajmit ishte moment i vështirë për familjen.
“Dikush është dashur të jetë atje. I ka rënë shorti familjarit tonë, atij tjetrit e atij tjetrit. Po të mos kishin qenë këta, do të kishin qenë disa të tjerë”, tha ai.
Në Letancë, familjarët e policit Rifat Zeka nuk deshën të flasin për rastin, duke thënë se kanë pak informacione.
“Jemi në kontakt me zyrtarë të institucioneve, por nuk ka asgjë të re nga ajo që dihet deri tash”, deklaruan ata.
Ndërkaq, kontakti me familjen e policit Shemë Mustafa, nga Mitrovica e Jugut, ka qenë i pamundur.
Mësohet jozyrtarisht se avokatë në Serbi, të angazhuar për mbrojtjen e policëve të Kosovës, kanë kërkuar dokumente e informacione për 3 zyrtarët, rreth kohës dhe angazhimit të tyre në Policinë e Kosovës, e të tjera.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha më 19 qershor se do të vendosë nëse do të marrë pjesë në një takim krize të thirrur nga Bashkimi Evropian, pasi të kuptojë për gjendjen e tre policëve të Kosovës, që po mbahen në burg në Serbi.
“Unë dua fillimisht të pres vizitën e [shefit të Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd] ambasadorit Jetish Jashari, në Kralevë, dhe vetëm më pas, kur t’i kem të dhënat nga kjo vizitë e tre policëve tanë, që po mbahen peng, rob, në Serbi, si hakmarrje për luftimin e krimit të organizuar e korrupsionit në Kosovë, do ta marr vendimin dhe do ta jap njoftimin për pjesëmarrjen në takimin e Brukselit]”, ka deklaruar Kurti para gazetarëve, shkruan REL
Kurti tha se vizita e Jasharit është menduar për ditën e nesërme (20 qershor).