Kosova dhe Serbia zyrtarisht nuk e kanë të kryer procesin e demarkacionit të kufirit.
Megjithatë, kur është bërë demarkacioni me Malin e Zi në vitin 2018 – me gjithë kundërshtimet politike në Prishtinë – si referencë është marrë Kushtetuta e Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës, që është miratuar më 28 shkurt të vitit 1974 – asokohe nga ana e Kuvendit të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës dhe Kuvendit të Jugosllavisë.
Më këtë dokument, Kosova ka pasur kufijtë e saj territorialë që kanë pasur cilësinë e kufijve shtetërorë.
Për sigurinë e kufijve të territorit të Kosovës, nga viti 1999 kur ka përfunduar lufta, është përgjegjës misioni i KFOR-it.
Ky mision e ka këtë përgjegjësi bazuar në atë që njihet si Marrëveshje Ushtarako-Teknike e Kumanovës, e cila i ka dhënë fund luftës në Kosovë. Serbia e ka nënshkruar këtë marrëveshje me NATO-n në vitin 1999, duke i tërhequr më pas të gjitha forcat policore dhe ushtarake nga Kosova.
As KFOR-i e as autoritetet kosovare nuk kanë folur për REL-in lidhur me mënyrën e menaxhimit të zonës neutrale mes Kosovës dhe Serbisë.
Çfarë thotë Marrëveshja e Kumanovës?
Për të vendosur një ndërprerje të qëndrueshme të armiqësive, në asnjë rrethanë, asnjë Forcë e RFJ-së [Republikës Federative të Jugosllavisë] dhe Republikës së Serbisë nuk do të hyjë, rihyjë ose mbetet brenda territorit të Kosovës ose Zonës së Sigurisë Tokësore dhe Zonës së Sigurisë Ajrore.
Më 2012 dhe 2023, kur Serbia ka arrestuar policë të Kosovës, ajo ka thënë se ata kanë shkelur Marrëveshjen Ushtarako-Teknike të Kumanovës, e cila, sipas Beogradit zyrtar, u mundëson patrullim të armatosur në “zonën e neutrale” vetëm forcave të KFOR-it dhe forcave të Serbisë.
Por, të njëjtën gjë e ka thënë vazhdimisht edhe Prishtina zyrtare.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Serbia ka shkelur Marrëveshjen e Kumanovës që e ndalon çdo forcë policore e ushtarake serbe të futet në territorin e Kosovës.
Policia e Kosovës kryen patrullime në vijën kufitare Kosovë – Serbi që nga themelimi i saj, më 1999.
Në vitet e para të pasluftës, patrullimet janë kryer në bashkëpunim me KFOR-in, misionin e Kombeve të Bashkuara, UNMIK, e më vonë edhe me misionin e Bashkimit Evropian për sundim të ligjit, EULEX.
Me shpalljen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, institucionet ndërkombëtare, si KFOR-i dhe EULEX-i, i kanë transferuar gradualisht përgjegjësitë për kontrollin e zonës neutrale Kosovë-Serbi – që është rreth 5 kilometra – te Policia e Kosovës, shkuan REL
Tani, policia kryen patrullime të rregullta në vijën kufitare me Serbinë njëjtë si me shtetet e tjera.




















