Kryetari i Sindikatës së Policisë, Imer Zeqiri, ka vizituar familjet e 3 policëve të rrëmbyer nga forcat serbe në kufi me Serbinë e në brendi të territorit të Republikës së Kosovës.
“Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës u mirëprit nga familjarët e Shemë Mustafës, Beqir Sefës dhe Rifat Zekës”, thuhet në komunikatën për media.
Tutje bëhet e ditur se Zeqiri i ka njoftuar familjarët se është duke monitoruar me kujdes çdo situatë dhe është në kontakt të vazhdueshëm me menaxhementin e PK-së, në përpjekje për të marrë sa më parë dhe sa më shumë informacione për gjendjen e policëve të rrëmbyer.
“Kryetari i Sindikata së PK-së, kërkon urgjentisht që të lirohen zyrtarët policor, sepse është shkelje e çdo marrëveshje në kundër të çdo parimi të normave ndërkombëtare sepse zyrtarët policor kanë qenë thellë brenda në territorin e Republikës së Kosovës, për të mbrojtur integritetin e vendit”, shkruan Telegrafi.
“Ndërsa, familjarët e zyrtarëve policorë u shprehën falënderues për vizitën dhe kujdesin e treguar nga Sindikata e PK-së”, thuhet tutje në njoftim.