Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, ka reaguar pas masave të paraburgimit për 30 ditë ndaj 3 policëve të Kosovës të rrëmbyer nga forcat serbe në Leposaviq, përcjell InLajmi.
Ndërsa është shprehur e shqetësuar ministrja Haxhiu pyet “për çfarë janë dënuar policët?”
Për më tepër Haxhiu thotë se vlerat perëndimore si demokratizimi i shoqërisë dhe pavarësimi i institucioneve duhet të jenë presion ndaj Serbisë, sepse thotë ajo dirigjimi i i institucioneve të drejtësisë nga Vuçiqi ka pasoja edhe në Ballkan.
Postimi i plotë i saj:
Skenari për thellim të mëtejmë të tensioneve po vazhdon nga Serbia agresore përmes presidentit autokrat Vuçiq.
Gjykata e dirigjuar nga lartë paska dhënë masë të paraburgimit për 30 ditë për policët e Kosovës, të rrëmbyer 2 ditë më parë në Leposaviq.
Por për çfarë?
Vlerat perëndimore si demokratizimi i shoqërisë dhe pavarësimi i institucioneve duhet të jenë presion ndaj Serbisë. Dirigjimi i institucioneve të drejtësisë nga Vuçiq ka pasoja edhe në Ballkan.
Demokracia nuk mund të ketë aleat autokracinë dhe as nuk mund të thellohet deri në absurd, të rri e heshtur ndaj autokratëve.
Policët e Kosovës duhet të lirohen sa më parë! /InLajmi/