Kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës Memli Krasniqi, reagon ndaj vendimit të Qeverisë për heqjen e licences së Klan Kosovës, duke theksuar se ky veprim është kundër fjalës së lirë dhe parimeve demokratike, përcjell InLajmi.
Tutje Krasniqi ka shtuar se të tilla veprime bëhen vetëm në sistemet autokratike dhe totalitare.
Sipas tij Kosova më shumë se kurrë ka nevojë për media të lira.
Lideri i PDK-së i bënë thirrje Qeverisë tërheqjen e menjëherëshme të vendimit.
Postimi i plotë i tij:
Vendimi i Qeverisë për pezullimin e punës së Televizionit Klan Kosova është i papranueshëm, kundër fjalës së lirë dhe akt kundër parimeve themelore të demokracisë.
Vetëm sistemet autokratike dhe totalitare kanë tendenca të këtilla për të mbyllur mediat e pavarura. Sot, më shumë se kurdoherë, Kosova ka nevojë për media të lira, të pavarura dhe të pandikuara.
Kërkoj nga Qeveria që t’a tërheqë mbrapa menjëherë vendimin e saj dhe ta heqë këtë njollë që e ka vënë mbi shtetin dhe shoqërinë tonë.
Përgëzoj televizionet dhe mediat kosovare, të cilat qysh nga marrja e vendimit nga ana e Qeverisë, kanë shprehur solidarizimin e plotë me Klan Kosovën./InLajmi/