Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se për shkak të ndjekjes së qëllimeve elektorale po krijohen situata që rrisin rëndësinë e Rezolutës 1244 në menaxhimin e sfidave të sigurisë në Kosovë, përcjell InLajmi.
Hoti tha se kjo po ndodh edhe për shkak të mungesës së rezonit shtetëror në menaxhimin e interesave shtetërore të Kosovës, ndjekjes së qëllimeve të ngushta elektorale në vendime të natyrës strategjike e të sigurisë nacionale.
Sipas tij e gjithë situata e tensionuar vjen edhe si pasojë e mos koordinimit me aleatët në këto vendime.
Ndryshe gjatë të mërkurës 3 policë kosovarë janë rrëmbyer nga policët serb brenda territorit të Kosovës.
Postimi i plotë i tij:
Për shkak të: (1) mungesës së rezonit shtetëror në menaxhimin e interesave shtetërore të Kosovës, (2) ndjekjes së qëllimeve të ngushta elektorale në vendime të natyrës strategjike e të sigurisë nacionale, si dhe (3) pa koordinim me aleatët në këto vendime, po krijohen situata që e rrisin rëndësinë e Rezolutës 1244 në menaxhim të sfidave të sigurisë në Kosovë.
Kjo përbën kthim prapa. Në qeveritë paraprake, në pamundësi që Rezoluta 1244 të anulohet formalisht në Këshillin e Sigurisë të OKB-së, është punuar me aleatët në zbehjen totale të rëndësisë së saj. Kjo qasje ka përfshirë edhe raportimin më të rrallë në OKB dhe me përfaqësim gjithnjë e më të ulët nga ana e Kosovës.
Shpresoj që këto situata të mos jenë të pakthyeshme në Qeverinë e ardhshme të Kosovës, e cila duhet të kthejë menjëherë normalitetin në vend dhe bashkëpunimin e ngushtë dhe të domosdoshëm me aleatët. /InLajmi/