Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka reaguar pas rrëmbimit të 3 policëve të Kosovës nga forcat policore serbe brenda territorit të shtetit tonë, përcjell InLajmi.
Abdixhiku tha se “të 3 policët e rrëmbyer i presim në shtëpi. Ky është borxhi ynë si Republikë përballë agresionit luftënxitës të Serbisë. Lirimi i tyre i menjëhershëm është domosdoshmëri”.
Për më tepër, Abdixhiku, theksoi se për lirimin e policëve bashkërendimi me aleatët është i patejkalueshëm.
Ai shtoi se Kosova nuk e meriton një ditë të tillë pasi ushtrimi i sovranitetit të vërtetë kërkon mençuri.
Postimi i plotë i tij:
Të 3 policët e rrëmbyer i presim në shtëpi. Ky është borxhi ynë si Republikë përballë agresionit luftënxitës të Serbisë. Lirimi i tyre i menjëhershëm është domosdoshmëri.
Për këtë lirim, bashkërendimi e përafrimi me aleatë është i paalternativë. Prandaj, sot, bie dhe perdja e naiviteti popullist që këtë bashkërendim e shihte si dobësi. Dobësi e vetme është thirrja e vonuar për ndihmë, pasi je poshtëruar.
Kosova nuk e meriton një ditë të tillë.
Sot, kërkojmë përgjegjësi politike institucionale nga Kryemnistri dhe vartësi i tij. Ushtrimi i sovranitetit të vërtetë kërkon mençuri. /InLajmi/