Kryeministri Edi Rama tha se arsyeja e anulimit të mbledhjes qeveritare në Gjakovë mes Kosovës dhe Shqipërisë është mos rënia dakord me homologun e tij Albin Kurti për ndryshimin e formatit
Rama: Ndjesë për këtë orë të pazakonshme, por është një komunikim i jashtëzakonshëm, i cili lidhet me takimin e nesërm të dy qeverive në Gjakovë. E kam informuar kryeministrin Kurti se në kushtet e agravimit me orë të marrëdhënieve të Kosovës me krejt bashkësinë euro-atlantike, ky takim nuk mund të mbahet në formatin e parashikuar. Pasi kam folur pasdite me shefin e diplomacisë europiane, Joseph Borrel, i kam kërkuar Albinit për t’u takuar nesër në Gjakovë në një format më të ngushtë, përkatësisht me ministrat e jashtëm dhe ata të mbrojtjes për të diskutuar pikërisht lidhur me këtë situate, e cila po e çan në mënyrë dramatike Kosovën me bashkësinë euro-atlantike në një pikë të paimagjinueshme, ku kjo e fundit ka vënë gishtin, faktikisht, në butonin që do vërë në lëvizje planin e sanksioneve ndaj shtetit që e ka krijuar vetë. Për fat të keq dhe me shumë keqardhje më duhet të them që nuk kemi pasur dakordësi me kryeministrin Kurti për një ndryshim të formatit, ai ka kërkuar që mbledhja të bëhet normalisht dhe pastaj veç të diskutojmë edhe për këtë, por kjo nuk është e mundur sepse nuk është një moment për të krijuar një pasqyrë të rreme të asaj që në fakt ndodh në realitetin e Kosovës sot. Mbase nuk është një përgjigje përfundimtare nga ana e kryeministrit, unë shpresoj shumë që të mund të takohemi për të ballafaquar opinionet në kushtet kur, e përsëris, jemi në prag të vënies në lëvizje të planit, se nuk ma zë as goja të flas për sanksione, por të masave shtrënguese ndaj një shteti që është krijuar nga ata të cilët qartësisht janë në kushtet e sosjes së durimit. Kam bërë një përpjekje për t’iu kërkuar edhe pak kohë, e kam marrë edhe pak kohë, por nëse nuk e shfrytëzojmë dot këtë kohë për një sens të përbashkët mes të gjithëve, atëherë kam shumë frikë se plani, që është një plan realisht shumë i rëndë për Kosovën, do të vihet në lëvizje.
Mbledhja qeveritare mes Shqipërisë dhe Kosovës ishte planifikuar të mbahej nesër në Gjakovë.
Në këtë mbledhje ishte planifikuar takimi mes dy qeverive dhe kryetarëve të komunave të zonave kufitare në të dyja vendet, ku pritej të diskutoheshin që sfidat të kthehen në mundësi dhe mundësi në përfitim për qytetarët.
Kujtojmë se kreu i qeverisë shqiptare para disa ditësh i dërgoi një draft-statut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe SHBA-së, Francës dhe Gjermanisë.
Në lidhje me këtë, Kurti tha se Rama duhet t’ia dorëzojë propozimin e tij presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç në takimin e Ballkanit të Hapur.
“Nuk kam dyshim që Rama që beson se propozimi i tij është i mirë, dhe duke qenë kështu atëherë krejt që unë propozoj është që kryeministri Edi Rama këtë propozim t’ia prezantojë presidentit të Serbisë më së largu në takimin e radhës të Ballkanit të Hapur për shqiptarët në Preshevë e Bujanoc. Pra, pa dyshim që kryeministri Rama beson që ky është model i mirë, pra do të duhej t’ia bënte si propozim Vuçiçit për shqiptarët në Luginën e Preshevës. Propozimi im është që duke besuar në atë që beson kryeministri Edi Rama që modeli i tij është i mirë, në vend se të propozohet për serbët në Kosovë, t’ia propozojë Beogradit në Serbi”,tha Kurti.
Nga ana tjetër, Kurti u propozoi ndërkombëtarëve një plan prej pesë pikash për qetësimin e situatës në veri të Kosovës.
Ai njoftoi se ka propozuar sundim të ligjit në veri e largim të grupeve kriminale, zgjedhje të reja, monitorim të situatës e intensifikim të dialogut mes dy vendeve.