Dukuritë negative në shoqërinë kosovare duket sikur të ishin veprime normale, pasi reagimet ndaj këtyre dukurive janë shumë pasive e pothuaj të padukshme si masa kundërvepruese përballë veprimeve shpërthyese të këtyre dukurive, shkruan InLajmi.
Dukuri negative e ditëve të sotme e që ndodh jo rrallë, janë edhe ngacmimet seksuale me theks në shkolla, gjë e shëmtuar kjo e cila ndodh aty ku mësohet e avancohet dituria e edukata e secilit nga ne.
Të tilla ngacmime janë raportuar dhe janë bërë publike në shumë raste, ndërsa reagimet nuk kanë qenë të mangëta e dënuese deklarativisht, por nuk mjaftuan që kjo dukuri të “izolohet” ndërsa shihet mungesë e luftës së dobët karshi këtij fenomeni të shëmtuar denigrues të shoqërisë dhe kulturës shqiptare.
Në luftimin e kësaj dukurie megjithatë janë marrë disa veprime edhe pse të pamjaftueshme në luftimin e parandalimin e tyre e që kryesisht janë fushata vetëdijësuese që të tilla ngacmime të raportohen e mos të heshten.
Përkundër faktit se janë zhvilluara fushata sensibilizuese për raportimin e sulmeve seksuale, ato si duket nuk mjaftuan meqë gjatë vitit të kaluar u regjistruan dhjetëra raste të tilla.
E ky fenomen negativ duke marrë parasysh edhe raportimet e fundit në media e policore duket se ngacmimet seksuale janë shndërruar në dukuri “trendi” i shoqërisë sonë.
Para disa ditësh në media u raportua se një mësimdhënës në Vushtrri u suspendua nga puna meqë dyshohej se ngacmoi seksualisht nxënësen e tij.
Këtë fenomen e cilësoi mjaft alarmuese edhe shqetësuese sociologu i njohur kosovar, Hyzer Bytyqi, i cili theksoi se këto ngacmime sjellin pasoja si tek fëmijët ashtu edhe te familja.
“Ngacmimet seksuale në shkolla janë alarm që ngre shqetësime serioze për të gjithë faktorët që janë përgjegjës për funksionimin e institucioneve arsimore, mbi bazën e asaj për të cilën ekzistojnë. Janë shqetësim i madh shoqëror kur dihet se shpeshtimi i numrit të këtyre ngacmimeve, ndonëse të izoluara, sjell pasoja tek nxënësi, përkatësisht individi, familja e shoqëria”, tha sociologu Bytyqi.
Bytyqi, thekson se rastet e ngacmimeve seksuale në shkolla paraqesin nevojën e funksionalizmit të psikologëve në shkolla.
“Ne raste të tilla është urgjencë strukturimi dhe funksionalizimi i psikologëve nëpër shkolla. Kam në konsideratë aktivitetin e tyre me nxënës e jo si zyra statike e pa efekt, në identifikimin dhe parandalimin e çdo ngacmimi të mundshëm seksual tek nxënësit por njëkohësisht, ngritja e vetëdijes për raportimin e çdo rasti të mundshëm”, deklaroi sociologu për gazetën InLajmi.
Për këtë dukuri negative foli edhe pedagogu, Besart Rrecaj i cili u shpreh mjaft i shqetësuar me rastet e fundit.
Sipas tij, ekzistojnë shumë faktorë që ndikojnë në rritjen e rasteve të ngacmimeve seksuale.
Tutje, thekson Rrecaj se nëse rastet e ngacmimeve seksuale paraqiten në shkollat e mesme e të ulëta atëherë kemi të bëjmë me raste të çrregullimit të pedofilisë.
“Nëse rastet paraqiten në shkollat e mesme të ulëta kemi të bëjmë me raste të çrregullimit të pedofilisë pasi që të dhunuarit apo të ngacmuarit janë nën moshën. Arsye tjetër janë edhe rrethanat shoqërore, kontrolli i dobët nga ana e përgjegjësve të arsimit siç janë inspektorët e arsimit, pastaj mungesa e ndëshkimeve të rasteve të paraqitura e kështu me radhe”, shtoi ai për Gazetën InLajmi.
Ndryshe, Policia e Kosovës në një përgjigje me shkrim për Gazetën InLajmi tregoi se brenda vitit 2022 në Kosovë janë regjistruar 70 raste si sulme