Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla me rastin e 24 vjetorit të Ditës së Çlirimit të Kosovës ka thënë se 12 qershori është dita e fundit e gjenocidit të Serbisë në Kosovë, përcjell InLajmi.
Ndërsa kujton ditën e lirisë, ministri Sveçla tha se çlirimi i vendit hapi rrugën drejt sovranitetit të Kosovës, “të cilin po e përmbushim dhe me rendin e ligjin që po vendoset në veriun e vendit”.
Ai shprehet mirënjohës ndaj vendeve anëtare të NATO-s për rolin dhe kontributin e tyre për çlirimin e Kosovës.
Postimi i plotë i tij:
12 Qershori, dita e fundit të gjenocidit të Serbisë në Kosovë.
24 vite më parë, Kosova u çlirua nga regjimi gjenocidal serb i Millosheviqit. Serbia kapitulloi e bashkë me të dhe objektivi i tyre për spastrim etnik të shqiptarëve. Çlirimi i Kosovës i dha fund vuajtjeve të popullit tonë. Kjo ditë na bën të ndalemi e të reflektojmë mbi veprat e dëshmorëve tanë dhe sakrificës së tyre për liri.
Të udhëhequr nga ideali i tyre, ne vazhdojmë të punojmë në forcimin e institucioneve tona dhe zhvillimin e Kosovës. Sepse ata janë themeli i shtetit tonë. Çlirimi i vendit na hapi rrugën drejt sovranitetit të shtetit tonë, të cilin po e përmbushim dhe me rendin e ligjin që po vendoset në veriun e vendit.
Në këtë ditë falënderojmë çdo vend anëtar të NATO-s për rolin dhe kontributin e tyre për çlirimin e vendit, me të cilin veprim ndihmuan aspiratën e popullit të Kosovës për liri dhe demokraci. /InLajmi/