Drejtori i Zyrës për Kosovë, Petar Petkoviq, të hënën përsëri ka derejtuar akuza ndaj kryeministrit Albin Kurti për të cilin tha se me politikën e tij të dhunshme na solli në skaj të konfliktit dhe se është e qartë se ai dëshiron t’i vërë zjarrin jo vetëm veriut të Kosovës, por gjithë rajonit, transmeton InLajmi.
Sipas tij, sjellja e Kurtit është nxitje për reagim të pamatur nga ana e serbëve në Kosovë dhe Beograd, për konflikt me bashkësinë ndërkombëtare.
Petkoviq tha se e gjithë kjo sjellje provokuese e Kurtit është për të shmangur themelimin e Asociacionit.
Petkoviq, deklaroi në TV Pink se serbët kanë 2 javë që protestojnë paqësisht para ndërtesave komunale në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.
“Kanë kaluar 2 javë nga arrestimi i Radosh Petroviqit dhe Dushan Obrenoviqit. Ekziston një video ku Radoshi dhe Dushani ulen të qetë pranë njëri-tjetrit, ndërsa ushtarët e KFOR-it i tërheqin në kordonin e tyre dhe ia dorëzojnë Policisë së Kosovës. Pse u arrestuan këta persona kur nuk bënë asgjë? Populli ynë proteston vetëm ndaj reagimit të dhunshëm të KFOR-it, Policisë së Kosovës, populli ynë u mbrojt me grushta dhe gurë, por ne nuk ishim të parët që filluam dhe as deshëm një konflikt me KFOR-in”, tha Petkoviq.
Ai pyeti se pse asnjë nga faktorët ndërkombëtarë nuk e dënoi arrestimin e Obrenoviqit dhe Petroviqit.
“Të gjithë i kemi ato regjistrime, ia kemi treguar Escobarit dhe Lajçakut. Natyrisht që ka pasur edhe pjesëtarë të lënduar të KFOR-it dhe na vjen keq për këtë, por pse nuk flitet për viktimat serbe, pse askush nuk thotë se kush e qëlloi Dragisha Galakun”, thotë drejtori i Zyrës për Kosovë.
Ai ka theksuar se nga momenti kur Kurti erdhi në pushtet, ka bërë gjithçka për të nxitur reagimin e serbëve në veri të Kosovës.
“Nuk ka dikush që nuk e dënoi Kurtin, amerikanët ishin më të zëshmit, Macron tha se e gjithë përgjegjësia për ngjarjet në veri i takon Kurtit dhe politikës së tij të dhunshme. Kjo situatë erdhi për shkak të gjithçkaje që bëri Kurti, duke sjellë forcat speciale ROSU, në veri të Kosovës në urën e Bistricës, duke qëlluar mbi njerëzit e pafajshëm, duke ndërtuar baza ilegale, duke ndaluar zgjedhjet dhe referendumet serbe, dhe tani duke mbajtur zgjedhje të turpshme në të cilën serbët nuk morën pjesë . Dhe ne e dimë që veriu është me shumicë serbe, dhe tani po i emërojnë kryetarët shqiptarë që janë zgjedhur më 23 prill në zgjedhjet ku numërohen fletët e votimit nga policët dhe që kanë marrë nga 500 vota, është skandal. Dhe përkundër gjithë kësaj, bashkësia ndërkombëtare i mbështet zgjedhjet. Këtu Hetemi nuk ka dalë nga ndërtesa e komunës, as nga dritarja nuk mund të shikojë, pra çfarë kryetar komune është, kë përfaqëson”, pyeti Petkoviq.
Ai ka komentuar edhe Projekt statutin e Asociacionit të kryeministrit shqiptar Edi Rama, duke treguar se nuk është i pari që interesohet sepse propozimin e njejtë e ka dhënë Fondacioni gjerman “Friedrich Ebert”.
“Dihet se çfarë janë rënë dakord në lidhje me Asociacionin në vitin 2013 dhe 2015. Ekipi menaxhues, i cili përbëhet nga serbë, është i vetmi i autorizuar për hartimin e statutit të Asociacionit. Fakti që tani Kurti dhe Bislimi dalin me një letër Mogherinit duke i propozuar planet e tyre, nuk ka kuptim. Me fjalë të tjera, ka, sepse Kurti nuk dëshiron të formojë Asociacionin dhe kështu po i tërheqë zvarrë Borelin, Escobarin dhe Lajçakun”, tha Petkoviq.