Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, për parakalimin e ushtarakëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, së bashku me fëmijët nga sheshi “Zahir Pajaziti” deri tek sheshi “Skënderbeu”, ka thënë se “fëmijët tanë nuk do të harrojnë nga kemi ardhur, ku jemi dhe ku do të arrijmë”, përcjell InLajmi.
Mehaj ka thënë se frymëzimin atdhetar e kanë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës që sipas tij, e kanë “mishëruar” me Forcën e Sigurisë së Kosovës.
“Urime dita e çlirimit, Prishtinë!”, ka përfunduar ai.
Postimi i plotë i tij:
Sot me rastin e ditës së çlirimit të Prishtinës, ushtarakët e Forcës së Sigurisë së Kosovës së bashku me fëmijët parakaluan nga sheshi Zahir Pajaziti deri tek sheshi Skënderbeu.
Moti me shi nuk i pengoi aspak fëmijët në marshimin e tyre, si ushtarak të vërtetë ata vazhduan deri në fund. Të gjithë na e dhanë një mesazh të qartë: Detyra, nderi, atdheu!, kjo është e gjitha, kjo është mbi të gjitha.
Si ushtarak, frymëzimin tonë atdhetar e kombëtar e kemi UÇK-në e cila është e mishëruar me FSK-në. Fëmijët tanë nuk do të harrojnë nga kemi ardhur, ku jemi dhe ku do të arrijmë.
Në këtë vend dje kanë qenë zot stërgjyshërit tanë, sot jemi ne, ndërsa nesër do të jenë këta fëmijë.
Faleminderit kryetarit, Përparim Rama për bashkëpunimin në realizimin e këtij aktiviteti.
Urime dita e çlirimit, Prishtinë! /InLajmi/