Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje të dielën, në të cilën foli për të arriturat e Qeverisë së Kosovës dhe për situatën në veri, raporton InLajmi.
Kurti tha se Kosova qëndron pas SHBA-së dhe BE-së në politikat anti-Putin ndërsa shtoi se bandat kriminale në veri duhet të largohen menjëherë, në mënyrë që prania e policëve atje të zvogëlohet në mënyrë proporcionale.
“Kosova i qëndron pas SHBA-së dhe BE-së në tërë kuptimin e fjalës, në politikën anti-Putin dhe në vlerat demokratike. Është aleat i pakompromis. Rruga përpara për deskalim të situatës në veri do të thotë ndalimi i menjëhershëm i dhunës nga bandat kriminale ndaj policisë, NATO-s, gazetarëve dhe kryetarëve. Në përputhje me situatën e sigurisë, me largimin e këtyre bandave dhe arrestimin e tyre, prania e policëve mund të zvogëlohej në mënyrë proporcionale. Dialogu për zbatimin e marrëveshjeve të 27 shkurtit dhe 18 marsit duhet të intensifikohet. Kemi nevojë për sekuencim të balancuar dhe fer të marrëveshjes bazike”, ka thënë Kurti.
Gjithashtu ai foli edhe për mundësinë e zgjedhjeve të reja në veri, duke i ftuar edhe serbët që të dalin dhe jo t’i bojkotojnë, siç ndodhi herën e kaluar.
“Këta kryetarët e tanishëm kanë marrë pak vota, po të tjerët s’kanë marrë aspak vota. Serbët duhet të dalin në zgjedhje, dhe jo të bojkotojnë. Zgjedhjet duhet të jenë të lira, të hapura, pa frikë, pa kërcënime, pa banda kriminale”, ka deklaruar ai. /InLajmi/