145 vjet më parë, pra më 10 qershor 1878 filloi organizimi dhe themelimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, përcjell InLajmi.
Është kjo njëherësh një ndër Lidhjet më të organizuara politike gjithëkombëtare pas Lidhjes dhe themelimit të Kuvendit të Lezhës të marsit të vitit 1444, nën organizimin e Gjergj Kastriotit Skënderbeu dhe udhëheqësve të principatave, përkatësisht të princave shqiptarë në shekullin e 15.
Lidhja e Prizrenit ishte një organizim politik i parisë së katër vilajeteve që ishin shumicë shqiptare në Perandorinë Osmane, themeluar zyrtarisht më 10 qershor 1878 në xhaminë Bajraklie të Prizrenit, qytet ku deri një vit përpara ishte qendra e Vilajetit të Kosovës.
Lidhja Shqiptare e Prizrenit në historinë e popullit shqiptar të kohës së re, historikisht është tubimi më i rëndësishëm kombëtarë shqiptar.
Komiteti i Stambollit i themeluar nga ajka kombëtare e kohës, më 1877, me qëllim të çlirimit dhe të ruajtjes së territoreve shqiptare nga hegjemonizmi sllave dhe ai grek, pasi që Perandoria turke pas Tanzimatit (1848) dhe luftërave ruso-turke më 1875/76, me shpejtësi po goditej dhe tronditej nga e ashtuquajtura “Kriza Lindore”, shqiptarët të cilët vepronin dhe punonin në kuadër të Perandorisë në fjalë, me kohë kishin nuhat rrezikun e copëtimit të trojeve të tyre, andaj, ata me shpejtësi themeluan “Komitetin e Shpëtimit” të trojeve etnike.
Traktatet e Shën Stefanit dhe Berlinit u kishin caktuar territore të banuara edhe nga shqiptarë shteteve të tjera pas Luftës Ruso-Turke, andaj shqiptarët u përgatitën për rezistencë kombëtare.
Kryeministri Albin Kurti, do të marrë pjesë në tribunën e shënimit të kësaj dite në Prizren, në orën 11, ndërkaq në 12 ai do të marrë pjesë në manifestimin qendror të 145-vjetorit të kësaj Lidhjeje dhe të 24-vjetorit të çlirimit të Kosovës , në oborrin e Kompleksit Monumental të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Në përmbyllje të shënimit të 145- vjetorit të Lidhjes Shqiptare, Kurti do të bëjë homazhe në Kompleksin e Lidhjes së Prizrenit në orën 13./InLajmi/