Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka kritikuar presidenten Vjosa Osmani, për mosreagim ndaj përjashtim të Kosovës nga “Defender 2023”, si sanksion i vendosur nga SHBA-ja për shkak të situatës së tensionuar në veri, përcjell InLajmi.
Sipas tij, Komandantja Supreme e Forcave të Armatosura po qëndron krah pushtetit në shkatërrimin e marrëdhënieve të Republikës së Kosovës me aleatin kryesor që garanton sigurinë e shtetit të Kosovës, SHBA-në.
Në fund, Hoti thotë se “Kosova e ka presidentin posaçërisht për raste të tilla, për të mbajtur balancet institucionale dhe për t’ia pamundësuar mazhorancës veprimet që dëmtojnë interesat shtetërore duke ndjekur interesat e tyre elektorale”.
Postimi i plotë i tij:
Komandantja Supreme e Forcave të Armatosura asnjë fjalë s’e nxjerr nga goja për përjashtimin e ushtrisë të cilën e komandon, nga ushtrimi më i madh që është mbajtur ndonjëherë në rajon – “Defender 2023”.
Shefja e shtetit po qëndron krah pushtetit në shkatërrimin e marrëdhënieve të Republikës së Kosovës me aleatin kryesor që garanton sigurinë e shtetit të Kosovës, SHBA-në.
Si çdo republikë parlamentare, edhe Kosova e ka Presidentin posaçërisht për raste të tilla – për të mbajtur balancet institucionale dhe për t’ia pamundësuar mazhorancës veprimet që dëmtojnë interesat shtetërore duke ndjekur interesat e tyre elektorale. /InLajmi/