Ish-kryenegociatori në bisedimet me Serbinë, Avni Arifi, ka folur për situatën e fundit nëpër të cilën po kalon Kosova, duke thënë se kurrë më keq vendi s’ka qenë.
Ai tha se Kosova s’ka qenë kurrë më keq në kuptim të besimit dhe në kuptim të përkrahjes ndërkombëtare.
“Institucionet e Kosovës kanë hyrë në një proces që praktikisht, pothuajse s’e kanë asnjë aleat të asnjë vendi të botës, duke përfshirë as Shqipërinë e hiç se hiç SHBA-të. Është e paqartë se ku është duke e dërguar vendin kryeministri Kurti”, tha Arifi
Tutje, ai tha se Kurti e VV-ja për 10 vjet e kanë pasur një fushatë se çdo lloj Asociacioni është tradhti kombëtare dhe sipas tij, kjo ishte e suksesshme në popull, shkruan KlanKosova
“Një pjesë e madhe e popullatës e identifikojnë fundin e shtetit të Kosovës me çfarëdo lloji të Asociacionit, s’ka lidhje me a pa kompetenca ekzekutive. Pastaj, ata e kanë krijuar edhe një narrativë se në të kaluarën, liderët e Kosovës çkado që iu është prezantuar, gjithmonë e kanë nënshkruar dhe e kanë dëmtuar vendin, e që në fakt nuk është e vërtetë”, tha Arifi.