Hajdar Beqa, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, për dorëheqjen ose jo të kryetarëve të këtij subjekti politik në veri, tha se PDK-ja do ta marrë veprimin e duhur, duke mos dhënë më shumë detaje se cila do të ishte kjo lëvizje.
“PDK-ja është parti institucionale dhe ka qenë në koordinim të plotë edhe në vitin 2011 kur është shtrirë sovraniteti në pjesën veriore dhe janë shuar ato grupet kriminale dhe kemi pasur edhe sistemin e dtrejtësisë, doganat, policinë relativisht funksionale, e ka luajtur rolin e vet dhe ka bërë një koordinim me miqtë ndërkombëtarë. Mendoj që PDK-ja do ta bëjë veprimin në të mirë dhe do të jetë me kohë transparente për qytetarët përmes organeve të saj”, ka thënë Beqa në Klankosova.tv
Ai shtoi se PDK-ja do të veprojë sipas situatës, derisa la të kuptojë që do të marrë pjesë në zgjedhjet e reja në veri.
“Do të veprojmë sipas situatave, PDK-ja ka marrë pjesë gjithmonë në zgjedhje në veri dhe i ka organet e veta. Nuk mund të flasim tani, mirëpo PDK-ja s’ka ndodhur të mos marrë pjesë në zgjedhje ndonjëherë, kemi marrë pjesë çdoherë dhe besoj që do të marrim prapë”, ka shtuar ai.