Situata në veri të Kosovës tash e 2 javë vazhdon të jetë e tensionuar ndërsa ndërkombëtarët vazhdimisht i kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të gjejnë zgjidhje urgjente politike për shtensionuar situatën, shkruan InLajmi.
Megjithatë, përveç shtensionimit të situatës, SHBA dhe BE kanë paraqitur kërkesën për zgjedhje të reja në komunat në veri dhe zbatimin e plotë të marrëveshjes së Ohrit.
Emisari amerikan, Gabriel Escobar i ka dhënë ultimatum kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, që të pajtohet me kërkesat e SHBA-së dhe BE-së, krejt kjo për shtensionimin e situatës në veri, në të kundërtën ka paralajmëruar se Kosova mund të përballet me pasoja.
Tashmë Kosova është në një udhëkryq, të bindet karshi kërkesave të ndërkombëtarëve ose të përballet me sanksione.
Mbetet të shihet nëse kryeministri Albin Kurti do të lëshojë “pe” dhe të pranojë ultimatumin e dhënë nga SHBA-të, që të shtensionojë situatën me organizimin e zgjedhjeve dhe vazhdimin e dialogut, duke zbatuar pikat bazë të marrëveshjes së Ohrit, e një ndër to edhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe, të cilën ndërkombëtarët dhe Serbia po e kërkojnë me ngulm.
E gjithë situata në veri duke sikur brenda vetes ka krijimin e Asociacionit, që në fakt po konsiderohet si çështja më problematike, pasi Kosova vazhdimisht ka hezituar të themelojë ashtu siç e kërkon pala tjetër.
Që një kohë të gjatë është përfolur çështja e draft-statutit të Asociacionit dhe duket se ai tashmë është i gatshëm, e këtë e konfirmon për InLajmin zëdhënësja e Partisë Socialdemokrate, Natyra Kuçi.
Ajo shpreh shqetësimin për pranimin e Asociacionit, ngaqë sipas saj, implementimi i kësaj pike të marrëveshjes do të sjellë vetëm konflikte të reja e jo paqe të përhershme.
“Dje na është konfirmuar që Kurti e ka në tavolinën e tij draft-statutin e Asociacionit, të cilin e ka pranuar me marrëveshje të Ohrit e plan të zbatimit. Kësisoj mund ta kuptojmë edhe tensionin në veri. Kurtit po i nevojitet që me çdo kusht të duket heroi që rezistoi Asociacionin dhe që pranimi i tij nuk e zbeh gjithçka që ai ka përfaqësuar politikisht në historikun e tij”, tha Kuçi për InLajmin.
Kuçi thotë se kryeministri Kurti po synon ta ketë figurën e “policit sovranist”, që kinse nuk bën kompromise, por në fund po shkon drejt asaj rruge, duke pranuar të gjitha ato që i ka kundërshtuar më herët.
“Por, Asociacioni është një dëm jashtëzakonisht i madh dhe koncesion të cilin Kurti s’po arrinë ta kapërdijë dot, pa e humbur e tretur veten në të. Prandaj dhe i nevojitet figura e policit sovranist, pra, imazhi i njeriut që s’bënë kompromise. Por, siç e kemi parë, ai në fund po i bënë pikërisht ato kompromise. Dhe, për fatin e keq të Kosovës, asaj rruge i është nisur prapë”, tha ajo.
Zëdhënësja e PSD-së deklaron se Qeveria e Kosovës në krye me Kurtin e ka pranuar Asociacionin nën hijen e ngjarjeve në veri, sa për të mos u dukur që e ka humbur “petkun revolucionar”.
“Tashmë na është bërë e qartë që Kosova do të përballet me sanksione të mëdha nëse tensionimi në veri vazhdon siç ka filluar para një jave. Ai ndodhi për një arsye. Jo pse pushteti e respekton Kushtetutën, sepse e dijmë që nuk e respekton, jo pse pushteti njëmend e shtriu sovranitetin në veri, sepse e dijmë që kjo nuk ka ndodhur, por sepse këta dëshirojnë ta bëjnë të pranueshëm e të pashmangshëm Asociacionin pa u dukur që kanë humbur petkun e tyre revolucionar”, tha Kuçi ndërsa shtoi se këtë pranim Kurti po e bën me tensionim situate e “piskama të sovranizmit”.
Kuçi thekson se kryeministri Kurti e ka sjellë situatën deri këtu ndërsa shton se ai duhet të japë dorëheqje, në mënyrë që Kosovës t’i ofrohet një konceptim i ri i dialogut Kosovë-Serbi.
“Ky kryeministër e ka sjellë situatën deri këtu ku është. Por, Asociacionin nuk duhet ta implementojë. Kurti duhet të dorëhiqet menjëherë ashtu që Kosovës t’i ofrohet një konceptim i ri i dialogut Kosovë-Serbi, që fokusin e ka mbyllja e çdo konflikti të hapur në mes të Kosovës dhe Serbisë, tek njohja e pavarësisë së Kosovës dhe paqja e përhershme në mes të 2 vendeve”, tha Kuçi.
Për më tepër, ajo flet edhe për “krisjen” e partneritetit me SHBA-të derisa thekon se kjo situatë bie mbi “kurrizin” e kryeministrit Kurti.
“SHBA-të në asnjë moment tjetër në historikun e vonshëm të Kosovës nuk kanë qenë më serioz e direkt ndaj kërkesave të tyre që i kanë për Qeverinë e Kosovës. Pasoja e kësaj sigurisht është nga kjo qeveri; shpërfillja që Kurti ia bënë rregullisht bashkësisë ndërkombëtare, si me rastin e targave e tani të kryetarëve të komunave, e deri tek deklaratat ekstremiste, si në e rastin e Sekretarit Blinken”, tha Kuçi, duke shtuar se në përplasje të tilla të mëdha, krisjet janë të dukshme dhe afatgjate dhe se këto “krisje” i bartë në kurrizin e tij Kurti. Shqipe Vishaj /InLajmi/