Tash e më shumë se një javë situata në veri është tensionuar, për shkak se kryeministri Albin Kurti vendosi t’i fus në objekte komunale kryetarët e rinj shqiptarë, ndërsa qytetarët serb atje kundërshtojnë qeverisjen e re, shkruan InLajmi.
Duke kundërshtuar udhëheqësit e rinj komunal, serbët në veri gjatë këtyre ditëve organizuan protesta të dhunshme ku sulmuan Policinë e Kosovës, KFOR-in e gazetarët. E situata arriti deri në atë pikë sa shteti serb e vendosi ushtrinë në gjendje gatishmërie.
Gjithë këto veprime të dyanshme tensionuan situatën në veri dhe gjendja atje sigurisht mbetet e tillë deri në një zgjidhje politike mes palëve dhe ndërmjetësim ndërkombëtar.
E për ta “normalizuar” tërë këtë situatë që e ka kapluar veriun tash e sa ditë i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe ai i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, këtë të hënë po qëndrojnë në Kosovë, me ç’rast do të zhvillojnë takime me krerët shtetëror.
Ndërsa pas vizitës në Kosovë, Escobar dhe Lajçak do të udhëtojnë për në Serbi, ku pritet të takohen me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Për vizitën e emisarëve në Kosovë dhe Serbi për gazetën InLajmi foli eksperti i çështjeve të sigurisë Bedri Elezi, i cili pret ndryshim të situatës me presionin që do të ushtrojnë emisarët ndaj krerëve të të 2-ja vendeve.
Elezi deklaroi se nga kjo vizitë pritet ndikimi për largimin e trupave serb nga kufiri me Kosovën po ashtu largimi I Policisë së Kosovës nga veriu.
“Ne padyshim presim që këta 2 përfaqësues fillimisht nga Beogradi do të kërkojnë largimin e ushtrisë nga kufiri, gjithashtu do shtrohet ndikimi edhe te Kurti, që ta largojë kryetarin e komunës së veriut nga aty dhe ta largojë policinë nga aty”, deklaroi Elezi për InLajmin.
Tutje thekson Elezi se nga këto takime pret që emisarët të bëjnë presion ndaj të 2 palëve për organizimin e zgjedhjeve të reja në veri
“Në këto takime do bëhet presion edhe për organizimin e zgjedhjeve të reja, pasi vetëm zgjedhjet e reja mund të jenë zgjidhje për shtensionimin e situatën”, shtoi ai.
Njohësi i çështjeve të sigurisë tha se kjo përpjeke e faktorit ndërkombëtar nënkupton edhe intensifikimin e punës së tyre për normalizimin e marrëdhënieve mes 2 shteteve. /InLajmi/