Diplomati, njëherit ish-ambasadori i Shqipërisë në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut, Arben Çejku ka folur për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës si dhe reagimin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama lidhur me gjendjen në veri.
Çejku tha se për Shqipërinë porta e parë e marrjes së informacionit duhet të jetë Kosova, e më pas siç tha ai të jepen reagime për situatën në veri të Kosovës.
“Sa i përket reagimit të kryeministrit të Shqipërisë, Rama dhe reagimeve të tjera sigurisht që ato janë reagime publike dhe secili mund t’i kuptojë në mënyrën e vet, por ajo që mund të them sot është që ne duhet të jemi të gjithë realist kur marrim komentet tona për zhvillimet në veri dhe organet e shtetit shqiptarë duhet të jenë në një koordinim më të ngushtë me Qeverinë e Kosovës, pastaj të kenë komentet e tyre në raport me Serbinë apo me faktorin ndërkombëtar. Pra, porta e parë e marrjes së informacionit duhet të jetë Qeveria e Kosovës, pasi çdo marrëdhënie e jona me Serbinë së pari kalon nga Prishtina”, ka vlerësuar Çejku.
Mirëpo, siç u shpreh diplomati shqiptar, kryeministri i Kosovës, Kurti ende nuk ka paraqitur një platformë konkrete se çfarë hapash do të ndërmarrë për të rregulluar situatën në veri të Kosovës.
“Nuk duhet të harrojmë një gjë se pavarësisht inkuzioneve të dënueshme dhe të paligjshme në veriun e Kosovës, është Kosova ajo që ka përgjegjësinë e saj në këtë pjesë të territorit……mendoj që Kurti ende nuk e ka përkthyer në vepër presionin ndërkombëtar dhe sidomos reagimin e drejtpërdrejtë të ShBA-së”, ka thënë Çejku.
Çejku po ashtu theksoi se është bërë një kohë e gjatë që Qeveria e Kosovës dhe SHBA-të janë kundërthënës me njëra – tjetrën dhe nuk ka një pajtueshmëri tradicionale mes tyre, shkruan Telegrafi.
“Pavarësisht deklaratave, veprimet janë ato që tregojnë një mospajtim. Mendoj që humbja më e madhe është për Kosovën, e cila SHBA-në e ka aleatin e saj strategjik”, tha tutje diplomati Çejku.
