Ish-ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj ka ligjëruar në Institutin për Diplomaci dhe Politikë të Jashtme “Abba Eban” në Universitetin Reichman, në Tel Aviv, përcjell InLajmi.
Hoxhaj gjatë ligjeratës ka thënë se politika e Serbisë ndaj Kosovës nuk ka të bëjë me njerëzit, me komunitetin serb dhe jetën e tyre, por me territorin.
Për më tepër, ai ka theksuar se “BE është duke vlerësuar Serbinë dhe Vuçiqin, duke pritur që ai mund të jetë një pro-evropian derisa ai ndjek shembullin e Putinit drejt një autoritarizmi dhe kur Serbia i ngjan më shumë Rusisë se BE-së”.
Hoxhaj gjithashtu ka thënë se zgjidhja e plotë e raporteve Kosovë-Serbi është vetëm përmes njohjes së ndërsjellë.
Postimi i plotë i tij:
Kënaqësi të ndaj me ju pjesë nga ligjerata ime në Institutin për Diplomaci dhe Politikë të jashtme “Abba Eban” në Universitetin Reichman, në Tel Aviv! 🇽🇰🇮🇱
Politika e Serbisë ndaj Kosovës nuk ka të bëjë me njerëzit, me komunitetin serb dhe jetën e tyre, por me territorin! Prandaj, tensionet e fundit nuk kan të bëjnë me atë se kush politikisht udhëheq komunat, por kush kontrollon territorialisht ato! Kjo është politikë hegjemoniste, e cila ka humbur në vitin 1999 me çlirimin e Kosovës, dhe në 2008-ën, me pavarësinë. BE ka nxjerr një mësim nga Ukraina se në çfarë bote jetojmë ne kur fqinj i madh kërcënon apo sulmon, por jo në Ballkan, ku Serbia ndërhynë dhe destabilizon çdo shtet përreth saj në rajon. Mendoj se një mësim i tillë është me rëndesi edhe në Lindjen e Mesme dhe globalisht. BE është duke vlerësuar Serbinë dhe Vuçiqin, duke pritur që ai mund të jetë një pro-evropian derisa ai ndjekë shembullin e Putinit drejt një autoritarizmi dhe kur Serbia i ngjanë më shumë Rusisë se BE-së. Zgjidhja e plotë e raporteve Kosovë-Serbi është vetëm përmes njohjes së ndërsjellë. /InLajmi/




















