Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla u është përgjigjur kritikave të opozitës për arrestimin e bandave kriminale në veri, ndërsa pyeti deputetët e PDK-së se “pse ishin kaq të zëshëm kur Kurti përmendi emrat e kriminelëve në veri”, raporton InLajmi.
“Pse po shqetësoheni kur u përmenden emrat e kriminelëve serbë nga kryeministri Kurti. Kaq fort po ju djeg që ata po përmendën emër për emër”, tha Gërvalla ndërsa dëgjoheshin deputetët e PDK-së, teksa e pyesnin “A je shku në Hagë”?
Ajo theksoi se është e zhgënjyer nga kjo seancë, pasi ka pritur që qeveria së bashku me deputetët do t’i japin mbështetje Policisë së Kosovës dhe aksioneve që mëtojnë të vënë sovranitetin në veri.
“Për mua është zhgënjyese kjo seancë, pasi kam pritur një seancë krejt tjetër. Kam pritur një seancë që qeveria dhe deputetët së bashku do t’i japin mbështetje Policisë së Kosovës dhe aksioneve të cilat mëtojnë të vënë sovranitetin në të gjithë vendin tonë”, tha Gërvalla.
Gërvalla u shpreh mirënjohëse ndaj aleatëve ndërkombëtarë, duke theksuar edhe një herë se Kosova ndjehet e detyruar ndaj tyre sepse ata e mbrojnë sigurinë tonë.
“Jemi mirënjohës përherë për mbështetjen e aletëve tanë, KFOR-it dhe të gjitha organizatave ndërkombëtare që na kanë mbështetur gjatë rrugës tonë që nga paralufta e deri sot. Ndihemi të detyruar ndaj tyre sepse së bashku me ne mbrojnë sigurinë tonë dhe fëmijët tanë”, tha Gërvalla.
Gërvalla pati kritika edhe për kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj, të cilit i tha “turp nuk është të mbrosh qëndrimet e shtetit, por të takohesh me kriminelin Radojqiq”.
“Turp nuk është të mbrosh qëndrimet legjitime të Republikës së Kosovës, turp është të pritësh Radojçiqin dhe shokët e tij në zyre, jo pse është serb, por sepse është kriminel”, tha ajo si përgjigje për Haradinaj ndërsa vuri në dukje faktin që ai qenka larguar nga Kuvendi. /InLajmi/