Zgjedhjet e reja janë mënyra më e mirë që në mënyrë institucionale të rikthehet normalitetit në veri. Kështu vlerësojnë analistët politikë, sipas të cilëve, vetëm në këtë mënyrë, Kosova ka mundësi që ta dëshmojë veten si një korrigjuese e gabimeve të bëra.
Zgjedhjet e reja në veri, nga analistët politikë, shihen si zgjidhja e vetme për de-përshkallëzimin e situatës, analisti Artan Muhaxhiri tha se që nga fillimi ka qenë e ditur se kjo situatë nuk mund të vazhdojë për një kohë të gjatë.
“Prandaj edhe presionet kanë qenë të jashtëzakonshme edhe ndaj Kosovës edhe ndaj Serbisë, që të gjejnë një rrugë të ndërmjetme për ta përfunduar këtë gjendje dhe ka ardhur deri tek dakordimi që zgjedhjet e reja të pranohen edhe nga Kosova dhe Serbia, si mundësia më e mirë për ta ndryshuar gjendjen dhe për të shkuar drejt normalizimit. Zgjedhjet e reja janë mënyra më e mirë që në mënyrë institucionale të rikthehet normalitetit në veri, sepse me pjesëmarrjen e serbëve në këto zgjedhje edhe do të plotësohet kushti i përfaqësimit politik të tyre dhe në anën tjetër edhe Kosova ka mundësi që ta dëshmojë veten si një korrigjuese e gabimeve të bëra”, tha ai.
Analisti Dritëro Arifi thotë se situata në veri e kushtëzon Kosovën për zgjedhje të parakohshme atje.
“Jemi para aktit të kryer dhe në secilin proces që po hyjmë po dalim me një fakt të kryer dhe tash mbetet e vetmja zgjidhje. Por ky nuk ka qenë qëllimi as i qeverisë dhe as i presidentes. Pasi që gjendja është e jashtëzakonshme në veri po detyrohemi që të bëjmë prapë zgjedhje të jashtëzakonshme, për të vetmin qëllim që ta qetësojmë situatën dhe t’i integrojmë serbët në institucionet e Republikës së Kosovës”, tha Arifi, shkruan RTK
Që nga 26 maji, situata në tri komunat veriore ka qenë e tensionuar, për shkak të kundërshtimit të serbëve, që kryetarët e zgjedhur më 23 prill, të nisin punën nga ndërtesat komunale.




















