Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, ka thënë se serbët e Kosovë po detyrohen nga Lista Serbe që të marrin pjesë në protesta, përcjell InLajmi.
Sveçla tha se këtë të enjte ata janë detyruar të nënshkruajnë në lista pjesëmarrjen e tyre në protestë.
Ai shtoi se Qeveria e Kosovës dhe të gjitha institucionet e sigurisë qëndrojnë të angazhuara e përkushtuara maksimalisht në shërbim të të gjithë qytetarëve të vendit pa dallim
Postimi i plotë i tij:
Serbët e Kosovës në vazhdimësi nën trysni dhe kërcënime që të kryejnë veprime jashtë vullnetit të tyre.
Pas kushtëzimeve për të marrë pjesë në protesta e organizime të drejtuara nga Lista Serbe, protestuesit sot po detyrohen të nënshkruajnë në lista pjesëmarrjen e tyre në protestë. Haptazi ky është një mjet për të ndërmarrë veprime të mëvonshme ndaj atyre që nuk kanë qenë prezent në protestë. Kjo mund të nënkuptojë kërcënime dhe dhunë fizike ndaj tyre dhe familjarëve, largime nga puna si dhe dëmtim të pronave të atyre personave.
Qeveria e Republikës së Kosovës dhe të gjitha institucionet e sigurisë qëndrojnë të angazhuara e përkushtuara maksimalisht në shërbim të të gjithë qytetarëve të vendit pa dallim.
Dënojmë ashpër veprimet e vazhdueshme të Listës Serbe dhe bandave kriminale të drejtuara nga ta, me porosi të Beogradit. Këto taktika duhet të ndalen që qytetarët serb të Kosovës të jetojnë pa presione e kërcënime. /InLajmi/