Ditën e sotme, maturantët në mbarë vendin do t’i nënshtrohen provimit të parë të maturës shtetërore.
Ashtu siç është caktuar më herët në kalendarin e provimeve, testi i parë do të jetë ai i anglishtes.
Provimi i 2-të do të jetë Gjuha shqipe dhe Letërsia, i cili është vendosur të zhvillohet më 7 qershor, teksa në datë 13 qershor do të mbahet provimi i Matematikës.
Lënda me zgjedhje është dhe provimi i fundit, i cili do zhvillohet në datë 19 qershor. Si çdo vit, është vendosur që provimet të kenë largësi afërsisht një javë nga njëri-tjetri.
Risi në këtë maturë është provimi për mjekësinë. Të gjithë maturantët që duan të studiojnë në programin “Mjekësi e Përgjithshme”, do të zhvillojnë në gusht një testim në mënyrë të informatizuar.
Po ashtu, për herë të parë këtë vit, do të ketë një test të veçantë për nxënësit e aftësisë ndryshe. Për të gjithë maturantët, testi do të jetë i shkallëzuar, në 3 nivele vështirësie. Drejtues të arsimit parauniversitar theksojnë risitë e kësaj mature, shkruan A2CNN.
Një vëmendje të veçantë do të ketë administrimi i provimeve. Mbi 7.800 mësues janë angazhuar për të monitoruar provimet e Maturës Shtetërore, të cilat këtë vit do të zhvillohen kryesisht në palestra dhe në korridoret e shkollave.