Serbët kanë nisur të mblidhen sërish në Leposaviq dhe Zveçan për herë të 4-të këtë javë, mes tensioneve në rritje në veri të vendit, pasi të premtën e javës së kaluar Policia e Kosovës i ndihmoi kryetarët e rinj shqiptarë të futeshin nëpër komuna. Serbët kanë nisur të mblidhen edhe në Zubin Potok.
Protestuesit serbë në Leposaviq kanë nisur të grumbullohen që herët.
Këtë mëngjes atje bie në sy një prezencë më e madhe e grave.
Serbët kanë nisur të mblidhen edhe në Zveçan, nga ku gazetari Unitet Berisha raporton se po marrin pjesë edhe krerët e Listës Serbe, Goran Rakiq dhe Igor Simiq, shkruan Gazeta Express.
KFOR-i dje i ka shtuar masat e sigurisë përreth objekteve komunale në komunat veriore, duke vendosur dy rende telash me gjemba një mbi një, pasi të hënën në Zveçan rreth 30 pjesëtarë të misionit paqeruajtës të NATO-s mbetën të lënduar në një përplasje me protestuesit e dhunshëm të cilët i goditën me ç’kishin ushtarët, duke hedhur në drejtim të tyre edhe mjete plasëse si shok-bomba dhe molotov.
