Mbahet takimi i Komitetit Ndërministror për të Drejtat e Fëmijëve në shënimin e 1 Qershorit, Ditës së Fëmijëve, përcjell InLajmi.
Me qëllim të shënimit të 1 Qershorit, Ditës së Fëmijëve, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka kryesuar takimin e radhës së Komitetit Ndërministror për të Drejtat e Fëmijëve.
Përveç anëtarëve të këtij komiteti, të pranishëm ishin edhe ministrat Arbërie Nagavci, Albulena Haxhiu, Arben Vitia e Elbert Krasniqi, shefja e zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Nona Zicherman, udhëheqësja e KOMF, Donjeta Kelmendi, organizatat për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve si dhe vet përfaqësuesit e fëmijëve.
Duke ritheksuar përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për mirëqenien e fëmijëve, kryeministri Kurti në këtë takim deklaroi se investimi në mirëqenien e fëmijëve është gur themeli për shoqëri të drejtë.
Rrjedhimisht, ai tregoi se si qeveri përmes skemave të mbrojtjes sociale dhe politikave arsimore po largojmë barrierat për zhvillimin dhe arsimimin e fëmijëve. Paralelisht, për të siguruar barazi nga mosha e hershme, po i ndajmë shtesat për 351 mijë fëmijë nën moshën 16 vjeçare. Ndërkaq, është miratuar edhe Ligji për arsimin e fëmijërinë e hershme, ku do të angazhohen 500 asistentë për fëmijë me aftësi të kufizuara e me nevoja të veçanta. Në këtë kuadër, sa i përket shëndetit mendor dhe psiko-social të fëmijëve dhe familjeve të tyre, vetëm në vitin e kaluar, janë trajnuar mbi 200 profesionistë të këtyre shërbimeve.
Sipas kryeministrit, janë themeluar e funksionalizuar mekanizma institucional për të drejtat e fëmijëve në nivel qendror dhe lokal, ku deri më tani janë themeluar ekipet për të Drejtat e Fëmijës në 22 komuna dhe janë realizuar aktivitete në 32 komuna nga Zyra për Qeverisje të Mirë në Zyrën e Kryeministrit, në bashkëpunim me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal.
Këto ekipe për të drejtat e fëmijëve, Elbert Krasniqi, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, i konsideroi hap të rëndësishëm drejt ndërgjegjësimit, akterëve të rëndësishëm të përfshirë në sigurimin e të drejtave të fëmijëve. Ai shprehu se do të vazhdojnë tutje duke punuar së bashku për të adresuar çështjet dhe problemet me të mëdha që fëmijët tani po përballen.
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, gjatë takimit ka shpalosur dhe njoftuar të pranishmit me politikat e kësaj ministrie në edukimin e hershëm, duke theksuar se edukimi në fëmijërinë e hershme mbetet njëra nga prioritetet e ministrisë dhe qeverisë, me synimin parësor rritjen e përfshirjes së fëmijëve në edukimin e hershëm dhe ofrimin e mundësive të barabarta për të gjithë fëmijët në të gjitha komunat e Republikës sonë.
Ndërkaq, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, është shprehur i lumtur që ishte në këtë tryezë dhe se si Ministri e Shëndetësisë synojnë zhvillimin e shërbimeve cilësore shëndetësore me qasje të lehtë për nëna dhe fëmijë si dhe qasje bashkëkohore që do të rezultojë në përmirësimin e statusit shëndetësor të këtyre grupeve të ndjeshme të popullatës si dhe ngritjen e kualitetit të tyre. /InLajmi/