Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq edhe një herë i ka bërë thirrje Serbisë, që ta njohë pavarësinë e Kosovës, pasi kjo punë siç ka thënë ai, është e kryer. Ai tha se këtë kërkesë e ka bërë edhe në samitin e NATO-s, por disa shtete për shkak të frikës, nuk e kanë pranuar.
“Serbia duhet të kuptojë dhe të pranojë se Kosova është e pavarur. Fatkeqësisht kjo nuk është pranuar nga disa anëtarë të tjerë të Bashkimit Evropian. Edhe në samitin e NATO-s vitin e kaluar, pas pushtimit rus të Ukrainës, ishte i vetmi që u bëri thirrje vendeve evropiane, të cilat ende nuk e kanë bërë këtë, të njohin Kosovën. Por kjo është si të flasësh me një mur”, tha Milanoviq.
Disa vende nuk e kanë njohur Kosovës, sipas tij, ngase kanë frikë nga precedentë që përfundimisht, “në një moment krize, në një rënie të imunitetit, mund të zbatohen në vendet e tyre dhe t’u merret diçka”.
Milanoviq tha se duhet të ndalojmë së përsërituri se Kosova është Serbi. “Jo vëlla, u bë”, shtoi ai, transmeton RTK.
Ndryshe, reagimi i tij erdhi pasi disa dhjetëra ushtarë të KFOR-it janë lënduar të hënën pasdite, pasi protestuesit e dhunshëm serbë sulmuan ata me shufra, koktej molotovi, armë e eksploziv.