E premtja e 26 majit filloi e qetë, por kjo qetësi nuk zgjati shumë, pasi shumë protestues serbë u mblodhën pranë objekteve komunale në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, për të penguar hyrjen e kryetarëve të rinj në ndërtesat komunale, shkruan InLajmi.
Tensionet filluan së pari në Zubin Potok, ku qytetarët serbë bllokuan hyrjen para komunës ndërsa Policia e Kosovës përdori gaz lotsjellës dhe shok-bomba për t’i shpërndarë qytetarët e tubuar para objektit komunal në Zveçan.
Situata shkoi deri në atë pikë sa edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nënshkroi një urdhër për ngritjen e gatishmërisë luftarake të njësive të Forcave të Armatosura të Serbisë për të lëvizur në drejtim të kufirit me Kosovën.
E premtja natyrisht nuk përfundoi e qetë, pasi u dëmtuan 4 automjete zyrtare ndërsa u lënduan edhe pjesëtarë policorë ngaqë situata atje eskaloi në dhunë nga protestuesit serbë, por jo vetëm. Në Leposaviq, protestuesit serbë nisën të vendosin barrikada nëpër rrugët e qytetit ndërsa më vonë u dëgjuan edhe të shtëna me armë, derisa Policia e Kosovës tentoi të hynte në komunë.
Ndërkombëtarët thirrje institucioneve që të ndalohen masat e dhunshme
Reagime të shumta pati pas situatës së tensionuar në veri të Kosovës, ndër ta më i ashpri ishte reagimi i sekretarit amerikan Antony Blinken, i cili fajësoi Qeverinë e Kosovës për veprimet e pamatura, ndërsa i bëri thirrje institucioneve që të ndalojnë menjëherë këto masa të dhunshme dhe të përqendrohen në dialog.
Përmes reagimeve të tyre, ndërkombëtarët kërkuan të mos përshkallëzohet situata pasi kjo nuk ndihmon në procesin e dialogut mes 2 vendeve.
Pas të premtes, veriu i vendit ishte disi më i qetë, por të hënën ndryshoi krejtësisht situata, krejt kjo për shkak të tentimit të protestuesve serbë për të penguar sërish nisjen e punës së kryetarëve, çka edhe çoi në përleshje të protestuesve me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in.
Në mëngjesin e së hënës, Policia e Kosovës tentoi t’i shpërndajë protestuesit me gaz lotsjellës, pasi këta të fundit tentuan të kalojnë kordonët e sigurisë për t’u futur me dhunë në objektin e Komunës së Zubin Potokut.
Duke e parë seriozitetin e situatës, ambasadori amerikan Jeff Hovenier ftoi kryetarët e komunave në veri të Kosovës në takim, por 2 prej kryetarëve nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Erden Atiq dhe Lulzim Hetemi nuk i shkuan në takim ndërsa kryetarët e komunave nga radhët e PDK-së, Izmir Zeqiri dhe Ilir Peci, iu përgjigjen pozitivisht ftesës së Hovenier.
Pas takimit me kryetarët e komunave dhe presidenten e vendit Vjosa Osmanin, ambasadori Hovenier u deklarua në emër të QUINT-it, duke propozuar që të ulen tensionet në pjesën veriore të Republikës së Kosovës dhe që kryetarët e komunave ta ushtrojnë detyrën e tyre të kryetarit prej një vendi tjetër, por jo në objektet komunale.
Në vazhdën e takimeve për të shtensionuar situatën, ambasadorët e vendeve të QUINT-it zhvilluan takim me kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin.
Protestuesit serbë sulmuan veturat e ekipit të medieve, duke ia shpuar gomat dhe duke i ngjyrosur me mbishkrime nacionaliste.
Këtë situatë krejt të tensionuar duket se e morën me sportivitet kryetarët nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, pasi që në ditën e parë të punës morën një vendim të rëndësishëm, që tash e sa kohë diskutohej. Kryetari i Mitrovicës, Erden Atiq, dhe ai i Leposaviqit, Lulzim Hetemi, kanë kërkuar nga institucionet kosovare, që ndërtesat publike të këtyre komunave të kyçen në sistemin energjetik të Kosovës dhe të paguajnë për energjinë elektrike të komunave që udhëheqin.
Protestuesit serbë “sulmojnë” ushtarët e KFOR-it
Pak orë më vonë, në veri nuk munguan as situatat e çuditshme, ku protestuesit serbë në Zubin Potok filluan të përlesheshin mes vete.
Situata eskaloi edhe më tutje, kur protestuesit serbë filluan të sulmojnë ushtarët e KFOR-it, të cilët në mënyrë paqësore u bënë thirrje qytetarëve të shpërndaheshin, por që të njëjtët nuk hasën në mirëkuptim.
30 ushtarë të KFOR-it mbetën të plagosur nga protestat e dhunshme të së hënës, në mesin e tyre 11 ushtarë nga kontigjenti italian dhe 19 nga kontigjenti hungarez.
Edhe këtë të martë filloi grumbullimi i protestuesve serbë ndërsa situata duket se po kalon e qetë.
Serbët në veri të vendit ritheksuan edhe një herë kërkesat e tyre, ndër to tërheqjen e kryetarëve nga objektet komunale, si dhe tërheqjen e njësive speciale nga veriu.
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, tha se në Bruksel aktualisht është duke u mbajtur takimi i Komitetit për Siguri dhe Politikë, të cilët po diskutojnë për masa të mundshme ndaj Kosovës e Serbisë në rast se palët s’i dëgjojnë hapat e propozuar për shtensionim të situatës. /InLajmi/