Ministri i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq, tha se përshkallëzimi i stituatës në veri të Kosovës është për fajin e kryeministrit Albin Kurti, ndërsa thekson se bashkësia ndërkombëtare angazhohet për qetsimin e situatës atje, transmeton InLajmi.
“Rezultati i kësaj është një plan tinëzar, që është që Kurti lejohet të bëjë diçka, bashkësia ndërkombëtare po proteston sikur diçka… Të gjithë tani po protestojnë kundër Prishtinës për atë që bënë, përfshirë edhe KFOR-in. Roli i KFOR-it nuk është të protestojë, por ta bëjë të pamundur atë veprim të njëanshëm”, tha Daçiq për RTS.
Sipas tij, KFOR sot i mbron kryetarët e sapozgjedhur nga “pronarët” e objekteve komunale, serbët që janë të punësuar atje.
Duke komentuar paralajmërimet dhe dënimet e bashkësisë ndërkombëtare për atë akt të njëanshëm të autoriteteve të Prishtinës, Daçiq tha se “nga paralajmërimet nuk përmirësohet situata në terren”
“Nëse Amerika nuk mund ta bëjë Prishtinën ta respektojë këtë, atëherë me të vërtetë nuk e di se çfarë besimi mund të kemi te bashkësia ndërkombëtare dhe sponsorët e atij aventurizmi të rrezikshëm luftarak në Prishtinë”, tha ai.
Ai tha se forcat e ushtrisë serbe janë në gatishmëri dhe se Serbia do t’i mbrojë serbët në Kosovë dhe nëse do të ketë nevojë.
“Nëse lejojmë që serbët të bien viktima për shkak të papërgatitjes së bashkësisë ndërkombëtare, apo për shkak të aventurizmit luftarak të Kurtit, sigurisht që nuk do ta lejojmë këtë”, tha Daçiq. /InLajmi/