Drejtori i Spitalit të Mitrovicës Veriore, Zlatan Elek ka thënë se më shumë se 53 qytetarë janë lënduar sot nga shok-bombat e gazi lotsjellës gjatë protestave në veri.
Sipas tij, 3 të lënduar po mbahen në spital dhe njëri nga ta ka lëndime që rrezikojnë jetë.
Mediat serbe kanë raportuar se ka pasur shumë serbë të lënduar, të cilat janë trajtuar në Qendrën Mjekësore në Zveçan dhe se ata me lëndime më të rënda janë dërguar për trajtim të mëtutjeshëm në spitalin e Mitrovicës.
Po ashtu, bëhet e e ditur se mes të lënduarve është edhe një gazetar i agjencisë serbe të lajmeve Tanjug.
Prania e KFOR-it në Zveçan dhe Leposaviq është rritur ndjeshëm nga mëngjesi i sotshëm.
Të lënduar ka edhe ushtarë të KFOR-it, transmeton Gazeta Express.
Ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani, ka thënë se sot janë lënduar 11 ushtarë të KFOR-it italian, prej të cilëve 3 me lëndime të rënda, por pa rrezik për jetët e tyre.